Lisa Magno në krye të USAID-it në Kosovë

Në këtë ceremoni, e cila për herë të parë mbahet në Prishtinë, morën pjesë ndihmës administratori i USAID-it për Evropë dhe Euroazi, Brock Bierman, kryeministri Ramush Haradinaj, si dhe zyrtarë të tjerë kosovar dhe të Ambasadës së Sh.B.A-ve në Prishtinë.

Në fjalën e tij, ambasadori Delawie shprehu lëvdata për shkathtësitë profesionale të Magno të treguara gjatë mandatit të saj në Kosovë si zëvendës drejtoreshë e misionit të USAID-it, si dhe në punën e saj të mëhershme me USAID-in në Filipine, Guatemalë, Afganistan dhe më rishtazi në Uashington ku ajo shërbeu në cilësinë e Zyrtares mbikqyrëse të programeve dhe Ushtrueses së detyrës së zëvendës administratores për Zyrën e Europës dhe Euroazisë.

Ambasadori Delawie vuri në pah rolin e USAID-it në zhvillimin e Kosovës përmes partneriteteve të tij me Qeverinë e Kosovës dhe organizatat e shoqërisë civile për forcimin e sistemit politik dhe atij të drejtësisë në vend, ndërtimin e institucioneve stabile, nxitjen e një shoqërie civile dinamike dhe të zhvillimit ekonomik.

Ai shtoi se sheh një të ardhme të ndritur për misionin e USAID-it në Kosovë nën udhëheqjen e Magnos.

Kurse kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se është kënaqësi të mirëpres për herë të dytë një mike të respektuar të Kosovës, por tani në një mision shumë të rëndësishëm në cilësinë e drejtoreshës së USAID-it.

“Për popullin e Kosovës dhe institucionet e saj, emri i USAID-it do të thotë shumë. Populli amerikan ishte me popullin e Kosovës që nga fillimi i përpjekjeve tona për ndërtimin e shtetit dhe sot po festojmë vazhdimin e këtij bashkëpunimi dhe partneriteti miqësor”, ka thënë kryeministri Haradinaj.