Trim Gashi pas lirimit | Foto: KALLXO.com

I Liruari për Sulmin ndaj Kryeministrit Do Kompensim

Tomë Gashi, avokati i Trim Gashit, paralajmëroi se do të kërkojë kompensim për të mbrojturin e tij pasi lirimi të bëhet i plotfuqishëm.

“Në momentin e parë që rasti bëhet i plotfuqishëm ne do te kërkojmë kompensimin e dëmit dhe kompensimet tjera që janë të parapara me ligj,” tha Tomë Gashi për KALLXO.com.

Trim Gashi akuzohej nga Prokuroria në Prishtinë për tentim-sulm ndaj makinave të eskortës së Kryeministrit dhe për pengim të personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

Policia e Kosovës në shtator të vitit të kaluar njoftoi se ishte tentuar të sulmohej eskorta e Kryeministrit Isa Mustafa, makinat e së cilës ndodheshin në lëvizje, ndërsa ekspozoi disa mjete të forta e copëza metali që tha se do të përdoreshin për këtë qëllim.

http://kallxo.com/policia-ishte-planifikuar-sulm-ndaj-kryeministrit-isa-mustafa/

Pastaj për këtë sulm të mbetur në tentativë u arrestua, e më pas u gjykua aktivisti i “Vetëvendosjes” Trim Gashi.

Gashi u shpall i pafajshëm më 11 mars të këtij viti nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Ai kur foli për KALLXO.com pas lirimit tha që deklaratat e Kryeministrit Isa Mustafa gjatë kohës sa ai po gjykohej, ndikonin që atij t’i zgjatej paraburgimi.

http://kallxo.com/deklaratat-e-mustafes-ma-zgjasnin-paraburgimin/

http://kallxo.com/pasdite-vendimi-te-akuzuarit-per-sulmin-e-eskortes/

Gashi qëndroi në paraburgim nga koha kur u arrestua në shtator 2015, e deri më 25 shkurt 2016, kur iu caktua arresti shtëpiak.

http://kallxo.com/lirohet-nga-burgu-sulmuesi-i-eskortes-se-mustafes/

Tomë Gashi tha për KALLXO.com se i mbrojturi i tij ka qëndruar për më shumë se gjashtë muaj në paraburgim dhe për këtë periudhë do të kërkohet kompensim, pasi sipas avokatit, Trim Gashit iu dëmtua reputacioni dhe iu ndërpre shkollimi.

“Ne do te kërkojmë kompensimin për periudhën kohore qe ai Trim Gashi ka qëndruar ne paraburgim, e cila periudhë është për me tepër se 6 muaj. Përveç kompensimit të dëmit material, dëmi që nuk mund të kthehet, të zhbëhet, është prishja e reputacionit të tij dhe ndërprerja e shkollimit, pasi që ai ka qenë dhe është student i Fakultetit Juridik,” tha avokati Gashi.

Gashi nuk tregoi shumën që do të kërkojë për kompensim, por tha se ajo do të jetë e lartë.

“Sido që të jetë, ajo që 6 muaj të jetës së tij te re i ka kaluar në paraburgim pa kurrfarë arsyeje ligjore dhe pa kurrfarë arsyeje të drejte, është diçka që nuk është dashtë të ndodhë dhe për këtë kompensimi do të jetë relativisht i madh në shuma financiare, mirëpo sa do të jetë nuk mund të themi,” deklaroi avokati Gashi.

Por avokati Gashi ende nuk mund të kërkojë kompensim për paraburgimin e Trim Gashit, pasi ndaj vendimit për lirimin e tij prokurori është ankuar në Gjykatën e Apelit.

“Tani për tani lënda gjendet ne Gjykatën e Apelit sipas ankesës së prokurorit dhe besoj që do të jetë vendimi i njëjtë, pra lirues,” tha Gashi për KALLXO.com.