Rasti 'Toka', avokati Gashi tregon se si klienti i tij u përfshi në aktakuzën voluminoze

Tomë Gashi, avokati i të akuzuarit për rastin “Toka”, Sabedin Haxhiu sa ishte drejtor i Kadastrit të Komunës së Prishtinës, në emisionin “Kallxo Përnime”, ka thënë se prokuroria për klientin e tij aludon në gjëra “të cilat nuk kanë ndodhur.”

“Aludimet e prokurorisë lidhur me klientin tim janë gjëra që nuk kanë ndodhur e na fare lehtë e vërtetojmë besoj që edhe prokuroria e din ma mirë se unë se nuk ka pas aktivitet kriminal në këtë tjetërsim të provave”- tha Gashi.

Sipas Gashit i akuzuari i tij gjendet në këtë mes vetëm për shkak të pozitës që e ka mbajtur në atë kohë.

“Prokurori Sabedin Haxhiun e ka infiltrua në këtë rast vetën për shkak të pozitës që e ka pas si drejtor i Kadastrit të Prishtinës.”

“Ka pas lloj lloj arsyetime edhe të bazuara edhe të pa bazuara për me u shty ky gjykim. Dëmi kryesor që na është bërë në këtë rast për shkak të stërzgjatjes është në institucionet e BE që i përcjellin këto gjykime. Nuk është normale nëse një panel i gjyqtarëve të huaj edhe i prokurorit të huaj e ka atë rast edhe e zhvillon rastin e në moment që del te gjyqtarët tanë…”- tha Gashi.

Tomë Gashi fillimisht në këtë rast kishte qenë avokat i të akuzuarit kryesor në këtë rast, Azem Sylës. Tashmë Gashi përfaqëson Sabedin Haxhiun.

Rasti gjyqësor, i njohur si rasti “Toka”, doli në shesh tetë vite më parë, kur prokurorët e EULEX-it filluan ndjekjen penale ndaj Azem Sylës, që rezultoi me arrestimin e tij në prill të vitit 2016.

Sipas Prokurorisë, dëmi që i është shkaktuar shtetit nga veprimet e të akuzuarve është milionëshe.

Rasti ishte duke u gjykuar nga gjyqtarë të EULEX-it, por më pas lënda është bartur në duart e drejtësisë vendore.

Lënda është në duart e gjyqtarëve Arben Hoti (kryetar i trupit gjykues), dhe Lutfi Shala e Mentor Bajraktari (anëtarë).

Prokuror i rastit është Naim Abazi.

Tash, tetë vite pas, sistemi i drejtësisë nuk ka arritur ende që t’i vërë pikën këtij rasti maratonik pasi që seancat në vazhdimësi janë shtyrë ose kanë dështuar të mbahen.

Njëjtë ndodhi edhe më 5 shkurt të këtij viti, kur seanca nuk mundi të vazhdonte pasi disa mbrojtës u deklaruan se nuk kanë disa shkresa të Prokurorisë. Sipas tyre ato nuk i kanë marrë pasi që janë angazhuar vonë si avokatë.

Së bashku me Azem Sylën janë të akuzuar 18 persona që, sipas organit të akuzës, kanë lidhje në një formë ose tjetrën në rastin “Toka”.

Rasti numëron dhjetëra seanca të shtyra ose të dështuara që nga nisja e gjykimit për herë të parë.

Azem Syla dhe të tjerët akuzohen nga Prokuroria se si grup i organizuar kriminal kishin bashkëpunuar mes vete me qëllim që përmes falsifikimit të vendimeve dhe dokumenteve zyrtare t’i privonin Kosovës disa prona shoqërore.

Azem Syla në prill të këtij viti mbush 73-vjeç. Ai ishte arrestuar më 2016, kur ishte 65-vjeçar.

Në këtë rast përveç Sylës të akuzuar janë edhe Arton Vila, Ramadan Uka, Avdyrrahman Brajshori, Shpresim Uka, Shaban Syla, Gazmend Gashi, Ramadan Mavraj, Ndue Palushi, Sami Maqedonci, Nyrtene Brajshori, Lumnije Sopjani, Elheme Uka, Lubisha Vujoviq, Avni Maxhuni, Sabedin Haxhiu, Ilaz Syla, Vidosav Novakoviq.

Prokuroria Speciale ngriti dy aktakuza kundër 39 personave të ndryshëm, në mesin e të cilëve është edhe ish-deputeti i PDK-së, Azem Syla.

Aktakuza e parë, e parashtruar nga një prokuror ndërkombëtar i PSRK-së, është ngritur kundër 22 të pandehurve dhe përbëhet prej 46 pikave.

Të pandehurit akuzohen për veprat penale krim i organizuar, pastrim i parave, marrje e mitos, mashtrim i rëndë, mashtrim në detyrë, nxjerrje e vendimeve gjyqësore të kundërligjshme, keqpërdorim i pozitës zyrtare, legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar dhe evazion fiskal.

Aktakuza e dytë është ngritur nga i njëjti prokuror, i cili akuzon 17 persona për pastrim të parave. Mirëpo kjo aktakuzë ka pushuar për shumicën e të akuzuarve kurse për Ilaz Sylën dhe Vidosav Novakoviqin, gjyqtari ka vendosur ta bashkojë procedurën me të akuzuarit e tjerë meqë është i njëjti rast.

Sipas Prokurorisë, anëtarët e këtij grupi të organizuar kriminal kanë bashkëpunuar mes vete, secili me rol të caktuar, për t’i privuar Kosovës pronat shoqërore përmes veprimtarive kriminale, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve të tjera zyrtare, mashtrimin dhe veprimeve korruptive.

Raportimet e KALLXO për rastin ‘Toka’ – LINK