Lahaj: E papranueshme që Prishtina s’ka sallë adekuate për koncerte

Tenori me famë botërore, Ramë Lahaj ka shprehur edhe një herë keqardhjen e tij që kryeqyteti kosovar ende nuk ka arritur të ketë një sallë adekuate për koncerte.

“Është e papranueshme që Prishtina edhe 20 vjet pas luftës nuk ka një sallë adekuate për organizimin e koncerteve. Kjo sallë do të na hynte në punë si për balet, operë e koncertet tjera. Publiku nuk mungon, por duhet të kenë një sallë ku të ketë kushte qoftë për interpretim apo edhe akomodim  e publikut”, ka thënë Lahaj.

Këto deklarim ai  bëri gjatë konferencës së sotme për shtyp të organizuar në prag të koncertit të Ramë Lahaj dhe miqtë që do të mbahet nesër mbrëma në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë.

Konferenca është organizuar nga Komuna e Prishtinës me ç’rast edhe u shpalosën disa detaje rreth koncertit të nesërm.

Për Lahajn koncerti nesërm është një shlyerje borxhi ndaj Prishtinës, siç ka thënë ai, marrë parasysh edhe interesimin e publikut.

Ndërsa ka pohuar se në koncertin e nesërm publiku do të dëgjoj një muzikë përgatitur enkas për këtë koncert.

“Kemi përgatitur një program të larmishëm kombinuar me muzikën popullore, por që është i përshtatshme për skena të hapura”, ka thënë Lahaj, duke shtuar se do të ketë edhe surpriza gjatë koncertit.

Ndërkaq për të parin e Prishtinës, Shpend Ahmetin, rikthimi i Lahajt ka një rëndësi të veçantë duke pasur parasysh edhe interesimin e publikut për të parë dhe dëgjuar performancën e tij.

“Ka një interesim të publikut për muzikën e Lahajt, por edhe koncerteve të tilla, andaj edhe kemi vendosur që gjatë këtyre ditëve të diasporës kur ka edhe më shumë njerëz, që publikut të Prishtinës dhe Kosovës t’i ofrojmë edhe një eveniment fantastik, me këtë rast artistin tonë të mirënjohur Ramë Lahaj dhe miqtë”, ka thënë ndër të tjerash Ahmeti, duke premtuar se nuk do të ndalen përpjekjet për ta bërë Prishtinën me një sallë adekuate.

Koncerti “Ramë Lahaj & Friends” mbahet nesër mbrëma, më 1 gusht 2019, duke filluar nga ora 20:30 në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë dhe hyrja do të jetë falas.