Foto: Komuna e Prishtinës
Lagjja ‘Dardania’ me Ajrin më të Ndotur në Prishtinë
Komuna e Prishtinës bëri sot prezantimin e një raporti në lidhje me ndotjen e ajrit në 6 lagje të kësaj komune.
Nga ky raport doli se lagjja “Dardania” ka ndotjen më të lartë të ajrit në kryeqytet. Nga 150 sa është vlera normale e ndotjes së ajrit sipas Bashkimit Evropian, lagjja Dardania ka vlerën 176.61.
Sipas Drejtorit të Administratës Publike në komunën e Prishtinës Muhedin Nushit, këto rezultate nuk janë alarmante, mirëpo janë shqetësuese.
“Rezultatet të cilat kanë dalë nga ky raport nuk janë alarmante, mirëpo nuk mund të themi që nuk janë edhe shqetësuese. Lagjja Dardania ka ndotje nga monoksidi i karbonit, sulfuri i hidrogjenit dhe del se është lagjja më e ndotur në Prishtinë, gjithashtu edhe rezultatet e lagjes ‘Kodra e Trimave’ janë për t’u shqetësuar, mirëpo ajo qëndron më mirë se sa lagjja ‘Dardania’”, thotë ai.
Sipas tij, nxjerrja e këtij raporti nuk nënkupton se Komuna e Prishtinës po tenton ta marrë rolin e Ministrisë se Mjedisit.
“Ky është raporti i parë dhe do të raportohet në baza tremujore. Qëllimi i Komunës së Prishtinës nuk është që ta marrë rolin e Ministrisë së Mjedisit, mirëpo kemi për qëllim që të dalim me analiza që të kuptojmë nëse ajri është i ndotur, ose jo, pse ndotet ajri, cilat janë lagjet më të ndotura,” tha ai.
Sabit Restelica, zyrtar për monitorim të ajrit dhe zhurmës në Ministrinë e Mjedisit, tha se iniciativa e komunës është një praktikë e mirë nga e cila duhet të mësojnë edhe komunat tjera.
“Ministria e Mjedisit mbulon 9 komuna në Kosovë për të matur cilësinë e ajrit duke përfshirë Prishtinën me dy njësi dhe Obiliqin me 3 njësi, për arsye se ajri është më i ndotur,” tha ai.
Komuna e Prishtinës gjithashtu prezantoi edhe platformën e të dhënave të hapura ose “Open Data”, platformë kjo e cila është bërë për herë të parë në këtë komunë.
Sipas Muhedin Nushit ky projekt ka për qëllim rritjen e transparencës së komunës në raport me qytetarët.
“Platforma ‘Open Data’ siguron transparencë të plotë. Informacionet janë mbledhur nga të gjitha drejtoritë në mënyrë që komuna të jetë më transparente dhe në funksion të zhvillimit komunal,” tha ai.
Në këtë platformë janë të përfshira 17 kategori dhe Agjencia e Shoqërisë së Informacionit përkujdeset për ruajtjen e informacioneve në këtë faqe.