Kuvendi i Kosovës, FOTO: KALLXO.com

Kuvendi dështon ta votojë rezolutën për Luginën

Në mungesë të kuorumit nuk është arritur të votohet rezoluta e propozuar nga vetë deputetët për gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Përveç kësaj, një rezolutë me qëllim të mbështetjes së kërkesave legjitime të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ia ka dërguar Kuvendit, mirëpo kjo nuk është marrë parasysh nga deputetët.

Edhe njëherë iniciuesi i seancës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ismajl Kurteshi, ka bërë të ditura pikat e rezolutës, duke sugjeruar që të mos merret parasysh draft-rezoluta e propozuar nga presidenti:

Çështja e Luginës së Preshevës të bëhet pjesë e përhershme e dialogu mes Kosovës dhe Serbisë

Qeveria e Kosovës të informojë institucionet dhe forumet ndërkombëtare për politikën diskriminuese që po ushtron shteti serb ndaj qytetarëve shqiptarë në Luginën e Preshevës.

Qeveria e Kosovës në dialog të insiston që shqiptarët e Luginës së Preshevës të gëzojnë të drejtat e njëjtë me qytetarët serbë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës të pajisë me dokumente identifikuese qytetarët e Luginës së Preshevës që jetojnë në Kosovë.

Qeveria e Kosovës të kërkojë nga Serbia ta ndërpresë pasivizimin e adresave të shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

Qeveria e Kosovës të hapë përfaqësinë diplomatike në Luginë të Preshevës.

Qeveria e Kosovës në kuadër të zyrës së kryeministrit ta hapë një zyrë për Luginën e Preshevës.

Qeveria e Kosovës të ndajë fonde të përhershme zhvillimore për Luginën e Preshevës.

Qeveria e Kosovës të pajisë me tekste shkollore dhe lektyra Luginën e Preshevës.

MKRS të obligohet të zbatojë menorandumin e bashkëpunimit.

MAShT të rritë kuotat për studentët nga Lugina e Preshevës në universitete publike në Kosovë.

Tu lejohet mjekëve që diplomojnë në Prishtinë të kryejnë praktikën në Kosovë.

Kuvendi përmes komisioneve parlamentare ta përcjellë gjendjen e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

Mirëpo, asnjëra nga këto pikat e kësaj rezolutë nuk arritën të hidhen në votim për shkak të mungesës së deputetëve në sallë.

Në këto kushte, nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti, e mbylli seancën për të vazhduar nesër.

KALLXO.com ka raportuar live seancën e jashtëzakonshme në të cilën Kuvendi ka arritur të miratojë rezolutën e harmonizuar nga të gjitha grupet parlamentare për heqjen e monopolit lidhur me shërbimin e homologimit të veturave.

www.kallxo.com