Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Draft-rezoluta e plotë e propozuar nga Kurti kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka paraqitur 8 pika të një rezolute kundër mbajtjes së referendumit të Serbisë në Kosovë.

Kurti ka thënë se pret nga deputetët që të kontribuojnë në rezolutë dhe miratojnë atë.

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, pas kërkesave që të mbahet referendumi i Serbisë në Kosovë.

Qeverisë së Kosovës po i kërkohet që të lejojë mbajtjen e referendumit të Serbisë të dielën, në komunat me shumicë serbe.

Referendumi serb ka të bëjë me ndryshimin e Kushtetutës për disa çështje në lidhje me gjyqësorin, me qëllim të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se serbët lokal të Kosovës mund të jenë pjesë e referendumit të Serbisë duke votuar përmes Zyrës ndërlidhëse ose postës.

 

Pikat e rezolutës janë si më poshtë:

  1. Kuvendi i Republikës së Kosovës si përfaqësues i qytetarëve të Republikës së Kosovës shpreh qëndrimin e përbashkët se organizimi i referendumit të Republikës së Serbisë në Republikën e Kosovës, cenon sovranitetin dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës si dhe është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, ligjet e Kosovës si dhe normat dhe praktikat ndërkombëtare
  2.  Kuvendi i Republikës së Kosovës kërkon nga Qeveria dhe institucionet gjegjëse të Republikës së Kosovës që të ndërmarrin të gjitha veprimet brenda kompetencave të tyre për të mos lejuar cenimin e sovranitetit dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës nga mbatja e referendumit të një shteti të huaj në territorin e Republikës së Kosovës
  3.  Kuvendi thekson përkushtimin e Republikës së Kosovës për të garantuar dhe mbrojtur të gjitha të drejtat e shtetasve të Republikës së Kosovës në pëputhje me kushtetutën dhe ligjet e Kosovës
  4.  Në këtë frymë Kuvendi i Republikës së Kosovës afirmon të drejtën e qytetarëve me dy shtetësi të Republikës së Kosovës që të ushtrojnë të drejtën e tyre të votës në përputhje me standardet kushtetuese dhe praktikat ndërkombëtare. Në rastin konkret të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë edhe shtetësinë e Serbisë, u garantohet e drejta që të votojnë nëpërmjet postës apo zyrës ndërlidhëse në Prishtinë
  5.  Kuvendi thekson se hapja e qendrave të votimit të Serbisë në territorin e Republikës së Kosovës sikundër edhe përfshirja e grupacioneve apo strukturave ilegale në një organizim të tillë , përben shkelje të qartë të Kushtetutës dhe ligjeve të Republikës së Kosovës si dhe praktikave ndërkombëtare.
  6. Kuvendi i Republikës së Kosovës shpreh kundërshtim ndaj veprimeve të vazhdueshme të Serbisë për të instrumentalizuar dhe keqpërdorur qytetarët serb të Republikës së Kosovës në shërbim të politikave të veta armiqësore kundër Republikës së Kosovës
  7.  Kuvendi i Republikës së Kosovës mirëpret qëndrimet e prera të Bashkësisë Ndërkombëtare për sundimin e ligjit në Kosovë dhe pret mbështetjen e të drejtat legjitime dhe çasjen parimore të Republikës së Kosovës meqë vetëm duke trajtuar në mënyrë të barabartë të gjitha shtetet e rajonit mund të garantohet stabiliteti, demokracia dhe fryma Euro-Atlantike e rajonit tonë
  8. Kuvendi i Republikës së Kosovës mbetet i përkushtuar për të dhënë kontributin e tij për mbrojtjen e sovranitetit, rendit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe të drejtave kushtetuese të të gjithë qytetarëve të saj si dhe avancimin e demokracisë dhe agjendës Euro-Atlantike në rajonin tonë
    Jemi të bindur që kjo qasje dhe ky qëndrim është parimor, nuk është kundër askujt, është për të mirën e të gjithëve pa diskriminuar dhe pa privilegjuar asnjëri. Pra, është edhe vlerë edhe dobi, edhe e drejtë edhe drejtësi.