Ish-kryetari i Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiq - Foto: KALLXO.com

Kryetari i Kllokotit Ofendon Zyrtaren e Komunës

Viktima e këtij rasti ka shpjeguar në detaje për KALLXO.com atë që ajo thotë se ka ndodhur dje.

Sipas Dosta Vesiqit, kryetari Spasiq e ka ftuar në zyrën e tij. Për shkak se zyra e saj dhe e kryetarit janë në distancë 2 kilometra, ajo është bartur me veturë komunale.

“Erdhi shërbyesi Ilija Mirkoviq në ndërtesën e dytë të Komunës ku unë punoj dhe më tha se më kërkon kryetari. Unë pastaj i thashë që kjo është larg dhe nuk mundem këmbë të shkoj. Ai më ofroi që të dërgojë me makinë komunale deri te zyra e kryetarit”, rrëfen për KALLXO.com Dosta Vesiq.

Sipas Vesiqit, porsa e ka përshëndetur kryetarin ai i ka thënë: “Ku***, a janë këto porositë telefonike që ti i ke shkruar”.

“Unë iu drejtova atij me fjalët: Më lejo ta marr telefonin dhe të shikoj nëse ato porosi janë të shkruara prej meje. Ai nuk deshi të ma japë telefonin. Menjëherë filloi të më fyej. Unë kam punuar më parë në Viti. Ai më tha: Ku*** njëherë që je nga të parat që kanë punuar me shqiptarët në Viti”, rrëfen Dosta Vesiq për bisedën me kryetarin e Kllokotit.

Vesiq shtoi se kryetari Spasiq 3 herë i është sulur por nuk e ka goditur.

“Tri herë u sul drejt meje por u përmbajt dhe nuk më goditi. Kur e pashë që është agresiv ndaj meje u nisa drejt derës për t’i raportuar Policisë se si një kryetar sillet ndaj zyrtarit”, vazhdoi ajo.

Vesiq, e cila thotë se është zyrtare për ambient e që merr pagë nga Ministria, tha se kryetari Spasiq ia ka ndërruar pozitën e punës tri herë, ani pse nga Prishtina zyrtare e kishte refuzuar këtë lëvizje.

“Unë jam zyrtare për ambient për të cilën pozitë marr pagë nga ministria. Kryetari ma ka ndërruar pozitën duke më vënë në postin e zyrtares për rini, kulturë e sport. Kjo tri herë i është hedhur poshtë nga Prishtina, ku ministria nuk ia ka pranuar këtë ndryshim të vendit të punës”, tha ajo për KALLXO.com.

“Që nga koha kur ai është bërë kryetar unë jam peng i tij. Nuk më duket se ndodhem në punë, por sikur jam në burg”, tha në mes tjerash ajo.

Mirëpo në një prononcim për KALLXO.com, kryetari i Komunës së Kllokotit e thotë krejt të kundërtën e asaj se çka rrëfeu Dosta Vesiq.

“Nuk ka lidhje me të vërtetën ajo që e thotë ajo. Është plotësisht e pavërtetë ajo që e thotë ajo. Të jeni të sigurt që është kështu. Është shpifje për mua nga ana e saj”, tha Spasiq për KALLXO.com përmes telefonit.

Spasiq përmendi mesazhet telefonike për të cilat foli edhe Vesiq. Tha se në messenger të Facebook-ut ka marrë mesazhe fyese nga Vesiq.

Sipas tij, kjo është një përndjekje politike që po i bëhet atij.

“Bëhet një përndjekje ndaj meje nga ajo dhe burri i saj, ish-drejtor i Kadastrës. Kjo është plotësisht politike, absolutisht”, vazhdoi ai.

Spasiq thotë se e ka lajmëruar Policinë për këtë rast. E të njëjtën e ka bërë edhe Dosta Vesiq.

“Ajo gjithashtu e ka paraqitur rastin pikërisht për shkak të arsyes që të mos e humb vendin e punës dhe të mos jetë e ndjekur penalisht e raportoi rastin edhe ajo”, tha Spasiq për KALLXO.com.

Mirëpo se i dyshuari për këtë rast është kryetari i Komunës e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Policia e Kosovës ka marrë deklarata nga i dyshuari që është Sreçko Spasiq dhe nga viktima. Në bazë të fakteve të gjetura, rasti nga ana e Policisë është cilësuar si sulm”, tha Hashani për KALLXO.com.

KALLXO.com ka siguruar raportin mjekësor të mjekut mbi këtë rast.

“Në emergjencë sjellët nga Policia për shkak të sulmit verbal nga një person zyrtarë (Kryetari i Komunës). Pacientja është shumë e shqetësuar, tërë kohë dridhet. 150/100 Hp (Pak i lartë)”, thuhet në raportin mjekësor të lëshuar për këtë rast.

Kreut të Komunës së Kllokotit, Sreçko Spasiqit në fillim të këtij muaji i është vërtetuar dënimi me 10 muaj burgim me kusht për shkak se kishte larguar nga puna një zyrtar të Komunës pa ndonjë vendim.

KALLXO.com ka raportuar për këtë rast gjyqësor.

http://kallxo.com/denohet-kusht-kryetari-kllokotit/

http://kallxo.com/kryetari-kllokotit-ndjehet-pafajshem-2/