Gjykata e Gjilanit

Ish drejtori i buxhetit në rigjykim për mos dorëzimin e parave në llogari të Komunës së Kllokotit

Ish drejtori për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, Nikolla Nojkiq, ka dalë para gjyqit për t’u përgjigjur në akuzën e cila atë e ngarkon me veprën penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Prokuroria e Gjilanit e akuzon Nikolla Nojkiqin se nuk i ka kryer detyrat e tij dhe se i ka kaluar autorizimet e parapara me ligj.

Akti akuzues thotë se Nikola Nojkiq nga gushti i vitit 2015 e deri më 2016, në cilësinë e Drejtorit për Buxhet dhe Financa në Komunën e Kllokotit, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin e tij zyrtar nuk ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Aktakuza tutje thotë se, Nojkiq pa qenë i autorizuar ka bërë pranimin e të hollave në shumë prej 14,013.50 euro nga zyrtari Boban Bogdanoviç, arkëtarët Bislim Trena dhe Zhivorad Vesiq, të cilat të holla kanë qenë rrjedhojë e inkasimit të taksave për shërbime komunale.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i njëjti shumën prej 3,623.00 euro, i kishte transferuar në llogarinë bankare të komunës, ndërsa nuk e ka dorëzuar shumë prej 10,390.50 euro, edhe pse ka qenë i obliguar t’i dorëzojë në bankë.

Rrjedhimisht, ai akuzohet se nuk ka dorëzuar shumën prej 10 mijë e 390 eurosh, të cilat ishte i obliguar t’i dorëzonte.

Në seancën e sotme gjyqësore ka dëshmuar Boban Bogdanoviq, i cili tha se ka dhënë deklaratë në Polici dhe Prokurori dhe se mbetet pranë tyre.

“Gjatë vitit 2015-2016 kam punuar si zyrtar i shërbimeve publike të Komunes së Kllokotit. Detyrë e imja është që ti pranoj mjetet nga inkasantët. Pasi ti pranoj mjetet (paratë), nga inkasantët fillimisht i kam mbajtur unë, derisa Kuvendi Komunal nuk ka marrë vendim që ato mjete të barten në një konto të caktuar. Pastaj unë kam kërkuar nga Drejtori i Shërbimeve publike që ta formoj komisionin dhe unë të lirohem nga ato mjete. Komisioni është formuar dhe është përbërë nga tre persona”, tha dëshmitari Bogdanoviq.

Gjithashtu dëshmitari tha se gjatë viteve 2015-16, me mjetet e Komunës nuk ka menagjuar askush pasi paratë e inkasuara kanë qenë tek ai. Shumën më të madhe që e ka bartur tha se ka qenë rreth 8,000 euro.

“Shumën e parave të Komunës e cila ka qenë rreth 8,000 euro, e kam mbajtur në shtëpi pasi nuk kam mundur të ja jap tani të akuzuarit pasiqë nuk kemi pasur kod bankar për t`i dorëzuar ato. E kam pyetur edhe Nikolla Nojkiqin se çka të bëjë me paratë dhe më ka thënë ruaji vet”, tha tutje dëshmitari Bogdanoviq.

Kujtojmë se ky shqyrtim gjyqësor ka nisur nga fillimi pasi i akuzuari Nikolla Nojkiq, në shqyrtimin e parë ishte dënuar me 8 muaj burgim nga Gjykata e Gjilanit.

Ai gjithashtu ishte obliguar që Komunës së Kllokotit të ja kompenzoj edhe shumën prej 10,390.50 euro, të cilën nuk e kishte dorëzuar në llogari të Komunës. Këtë vendim të Gjykatës së Gjilanit e kishte prishur Gjykata e Apelit, pasi i njëjti ishte i përfshirë në shkelje të dispozitave procedurale.

Vendimin dënues ndaj të akuzuarit Nojkiq e kishte dhënë Gjykatësi Zyhdi Haziri, kurse pas kalimit të tijë në Gjykatën e Apelit, tani rigjykimi drejtohet nga Gjykatësi Sabedin Mushica.

Seanca e sotme do të vazhdohet më 12 nëntor 2021, me dëgjimin e dëshmitarëve të tjerë.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast:

 

Prokuroria zbulon skemë interesante të korrupsionit në komunën e Kllokotit