Xhafer Gashi - Foto: Facebook

Kryetari i Obiliqit kërkon punësim të banorëve të komunës në KEK

Kryetari i komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi ka thënë se ndjehet i revoltuar me zhvillimet e fundit në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), si dhe me punësimet dhe investimet në komunën që ai drejton.

Përmes rrjetit social Facebook, Gashi ka shkruar se ka vite që KEK-u nuk po i kryen obligimet e tij ndaj qytetarëve të Obiliqit, e të cilat sipas tij, janë të bazuara në Ligjin për Zonën e Rrezikuar Mjedisore të Obiliqit, si dhe në vendimin e kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Ashtu siç e dini, territori prej 105 km2 i komunës, 72% shfrytëzohet nga KEK-u, e shpallur kështu zone me interes të veçantë, po ashtu degradime të shumta si në sipërfaqet e tokave bujqësore ashtu edhe në ambientin dhe mjedisin tonë, e të cilat kanë sjellë te sëmundjet e rënda, e edhe tek shpronësimet e popullsisë.”, ka shkruar ai.

Gashi ka theksuar se ‘ka vite që fshatrat Hade dhe Shipitullë kanë mbetur nën ndikimin e fatit’.

Ai thotë se pavarësisht që ekziston Ligji për Obiliqin, KEK-u nuk mban përgjegjësitë e tij karshi dëmit që po ua shkakton banorëve.

“Nuk e dimë deri kur duhet duruar këto padrejtësi, kur përveç që KEK-u nuk respekton Ligjin dhe Vendimin, e nuk pranon në punësim, në kushtet e barabarta me prioritet qytetarët e Obiliqit, të njëjtit po atë ditë të listës së publikimit me punëtorët e pranuar, hap konkurs të rregullt prapë! Shkelje e dyfishtë! Premtimet dhe zotimet në investimet në ambient, gjelbërim dhe parqe po ashtu që nga muaji mars i 2018, ende asnjë realizim nga KEK-u.”, ka shtuar tutje Gashi.

I pari i komunës së Obiliqit ka thënë se fshatrat Hade e Shipitullë ende kanë mbetur temë diskutimi sepse ende nuk u është gjetur zgjidhje.

Ai theksoi se ‘KEK-ut nuk po i bëhet vonë’, pavarësisht takimeve të shumta me Qeverinë dhe Korporatën Energjetike të Kosovës.

“U ftoi të gjithë ju që keni aplikuar e ju është shkelur e drejta juaj në këto konkurse të paraqitni ankesat e juaja në adresat e duhura te organet kompetente. Po ashtu banorët e fshatit Hade e Shipitullë,u ftoi nesër (11.05.2019) në ora 17:00, në sallën e kuvendit komunal, takim për të diskutuar shqetësimet tona. Po ashtu me datë: 14.05.2019 ( e marte), nga ora 10:00, do të mbajmë seancë të jashtëzakonshme në sallën e kuvendit komunal.”, ka shkruar Gashi.

Mes tjerash, ai ka shtuar se janë të vendosur t’i kërkojnë të drejtat e tyre dhe se nuk do të ndalen deri në realizimin e tyre.