Ramush Haradinaj, kryeministër i Kosovës.

Kryeministri Haradinaj Kërkon Hetim Ndërkombëtar për Kumanovën

Në një deklaratën për media, Kryeministri Ramush Haradinaj thotë se një hetim do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës në rastin e Kumanovës.

Reagimi i Haradinajt erdhi një ditë pasi një gjykatë në Shkup dha dënime të rënda për të akuzuarit e kësaj ngjarjeje të majit të vitit 2015, me një total prej 746 vitesh burh. Shumë nga të dënuarit janë shtetas të Kosovës.

“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë”, ka thënë ai.

Tutje thuhet se ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thirr në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrur për sqarim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, në Kosovë.

Dje në mbrëmje, një grup i familjarëve të të dënuarve në këtë rast protestuan në Pejë ku e dogjën flamurin e Maqedonisë.

http://kallxo.com/flet-vajza-e-te-denuarit-burgim-te-perjetshem/