Borislav Gjukiq

Kroacia dënoi gjeneralin jugosllav për krime lufte

Një gjykatë kroate dënoi ish-gjeneralin e Ushtrisë Popullore Jugosllave Borislav Gjukiq me nëntë vjet burg se u përpoq të hidhte në erë digën Peruca gjatë luftës në vitin 1993.

Gjykata e Qarkut e Splitit të premten gjeti Borislav Gjukiqin, komandantin e kohës së luftës të Brigadës së 221-të të Motorizuar të Korpusit të 9-të të Kninit të Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe më vonë një gjeneral në forcën ushtarake rebele serbe të Kroacisë, fajtor për kryerjen e një krimi lufte.

Gjukiqi, tani 70 vjeç, u dënua për minimin e digës Peruca pranë qytetit kroat Sinj më 28 janar 1993.

“Gjukiq planifikoi dhe organizoi prishjen e digës me qëllim mbytjen e zonës së Sinjit, nga Trilji në Omis, një zonë në të cilën ka rreth 50,000 banorë,” tha gjyqtari Slavko Lozina.

“Tridhjetë ton eksplozivë TNT u vendosën në bazë të digës dhe kur mori komandën për t’i shpërthyer ato, ai urdhëroi vartësit e tij të aktivizonin eksplozivët dhe ata e bënë këtë dhe dëmtuan digën, urën, kullën dhe ndërtesën e HEP (Kompania Kroate e Energjisë Elektrike),” shtoi Lozina.

Diga u dëmtua pjesërisht, por punonjësit e hidrocentralit arritën të parandalonin shkatërrimin e plotë të tyre.

Gjykata e urdhëroi Gjukiqin të paguajë kompensim për dëmin brenda katër viteve nëse vendimi bëhet i formës së prerë.

Gjukiq u arrestua nga autoritetet malazeze në qytetin bregdetar të Tivatit bazuar në një urdhër arresti të Interpolit në korrik 2015 dhe u ekstradua në Kroaci në mars 2016.

Gjyqi i tij në Split filloi në korrik 2016 dhe ai e deklaroi veten jo fajtor.

Sipas njoftimeve të medias lokale, Gjukiq është akuzuar gjithashtu në Kroaci për krime lufte kundër civilëve.

Ai akuzohet për urdhërimin e sulmeve ndaj vendbanimeve civile në zonën e Sibenikut nga gushti 1991 deri në gusht 1995, thanë raportimet.