Presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq. Foto: Mladen Obradovic/Beta

Kritikohet Nikoliq për Takimin me Kriminelin e Luftës

Takimi i presidentit serb Tomislav Nikoliq të mërkurën me ish-kryetarin e parlamentit serb të Bosnjës Momçilo Krajisnik, i cili ka kryer një dënim për krime lufte, u prit me zemërim nga grupet e të drejtave të njeriut në Bosnjë dhe Serbi.

Takimi në Beograd u kritikua për shkak se Krajisnik u dënua në vitin 2009 nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë për krime kundër njerëzimit për persekutimin dhe dëbimin e civilëve joserbë nga dhjetë komuna boshnjake.

Zyra e Nikoliqit tha në një deklaratë se ai dhe Krajisnik së bashku me një tjetër të ftuar, kryetarin e Këshillit Kombëtar Serb të Malit të Zi, Slobodan Remetiq, diskutuan “mënyrat për të përmirësuar lidhjet kulturore të popullit serb në ish-rajonin e Jugosllavisë, duke theksuar statusin dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut të popullit serb në vendet e rajonit, si edhe mbrojtjen e shkrimit cirilik dhe gjuhës serbe”.

Krajisnik, tash kreu i Shoqatës së Krijuesve të Republikës Serbe i dha Nikoliqit një certifikatë që përkujton themelimin e Asamblesë Serbe të Bosnjës në vitin 1991, e cila më pas u bë Parlamenti i Republikës Serbe para fillimit të luftës në vitin 1992.

Ai u lirua në vitin 2013, pasi vuajti dy të tretat e dënimit të tij prej 20 vjetësh burg dhe u prit si hero kur u rikthye në qytetin Pale të Republikës Serbe.

Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut në Serbi tha në një deklaratë se takimi ishte “një hap më tej” në mohimin e krimeve të luftës, pas retorikës nacionaliste që shoqëroi të hënën festimet për të shënuar Ditën e Republikës Serbe – një festë publike e serbëve të Bosnjës që u ndalua nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës.

Kjo nismë tha se takimi ishte një shenjë që na kujton se Serbia “po përballet me fillimin e fushatës presidenciale dhe se Nikoliq do të kandidojë në zgjedhjet e prillit me një politikë luftënxitëse”.

Grupet e të drejtave të njeriut në Bosnjë shprehën gjithashtu shqetësime.

“Takimi duhet të jetë një alarm për komunitetin ndërkombëtar, sidomos pas pranisë së Nikoliqit në festimin pompoz dhe jokushtetues të Ditës së Republikës Serbe më 9 janar në Banjallukë” tha për BIRN-in Belma Vulçiq, duke folur për degën e Bosnjës të OJQ-së Shoqëria Ndërkombëtare për Personat e Kërcënuar.

Vulçiq tha se takimi i Nikoliqit me Krajisnikun tregon një përkeqësim në qëndrimet e disa zyrtarëve të lartë serbë kundrejt integritetit të institucioneve shtetërore të Bosnjës.

“Për fat të keq, veprimi i Nikoliqit përfaqëson një vazhdimësi të politikës së mohimit dhe shkatërrimit të shtetit të njohur ndërkombëtarisht dhe sovran të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe një lloj talljeje ndaj institucioneve zyrtare dhe përfaqësuesve të shtetit boshnjak,” tha ajo.

“Në vend që të përdorë në mënyrë speciale lidhjet midis Serbisë dhe Republikës Serbe për prosperitet të mëtejshëm ekonomik dhe kulturor, ai me anë të këtyre marrëdhënieve të veçanta, bën gjithçka që Bosnja dhe Hercegovina të shpërbëhet dhe në këtë mënyrë Republika Serbe të aneksohet më në fund nga Serbia,” shtoi ajo.

Pjesëmarrja e presidentit Nikoliq në Ditën e Republikës Serbe të hënën ishte një nga aspektet më të diskutueshme.

Gjatë një fjalimi të hënën në mbrëmje, Nikoliqi i nxiti më tej shqetësimet duke përgëzuar serbët e Bosnjës për mbajtjen e një referendumi për Ditën e Republikës Serbe, e cila gjithashtu u ndalua nga Gjykata Kushtetuese e vendit, duke thënë se ata që ishin përpjekur të ndërhynin në këto festime “urrejnë shenjtorin tonë”.

Komentet e tij i referoheshin faktit se 9 janari është një festë e Kishës Ortodokse Serbe për të shënuar ditën e shenjtorit të Serbisë, Shën Stefanit. Aspekti fetar i kësaj festeje ishte arsyeja që u dha kur Gjykata Kushtetuese e ndaloi atë si festë ndërkombëtare, duke thënë se ishte diskriminuese ndaj qytetarëve joserbë të Republikës Serbe.