Pamje nga një mbledhje e KQZ-së - Foto: KALLXO.com

KQZ-ja Nis Publikimin e Rezultateve të Fituara nëpër Vendvotime

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi sot se ka nisur të publikojë formularët përfundimtarë të rezultateve dhe rezultatet e kandidatëve për deputetë të plotësuara nëpër vendvotime në ditën e zgjedhjeve.

Në komunikatë KQZ-ja njofton se këto publikime nuk janë rezultate përfundimtare.

“Kjo nuk është një shpallje e rezultateve përfundimtare, por janë vetëm formularë të cilët janë plotësuar në vendvotim, më 11 qershor”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

KQZ-ja tregon edhe se kur do të shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve.

“Rezultatet përfundimtare dhe certifikimi i tyre bëhet pas rinumërimit, numërimit të votave me kusht; votave përmes postës; votave të personave me nevoja të veçanta dhe pas përfundimit të të gjitha procedurave në Qendrën e Numërimit dhe të Rezultateve”, njofton KQZ-ja.

Publikimin e formularëve KQZ-ja tregon se po e bën për transparencë dhe besueshmëri.

Deri tash sipas KQZ-së janë publikuar formularët e rezultatave përfundimtare dhe rezultateve të kandidatëve nga disa komuna.

KQZ-ja thotë se deri në fund te ditës do t’i publikojë të gjithë formularët.

Sipas rezultateve të deritashme me së shumti vota në zgjedhjet e 11 qershorit ka fituar Koalicioni PDK-AAK-Nisma, i pasuar nga Lëvizja Vetëvendosje. I treti është renditur Koalicioni LDK-AKR-Alternativa.