Komisioni Qendror i Zgjedhjeve | Foto: KALLXO.com
KQZ-ja Del me Rezultatet Përfundimtare për Drenasin
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në mbledhjen e sotme me votat pro të të gjithë anëtarëve miratoi rezultatet përfundimtare për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Drenas të ardhura nga Qendra e Numërimit dhe Rezultateve.
Këto rezultate nuk dallojnë shumë nga rezultatet e para të publikuara natën kur u mbajtën zgjedhjet për kryetar të Drenasit.
Sipas rezultateve të miratuara, kandidati i PDK-së Ramiz Lladrovci fitoi 9458 vota, ose 45,34 për qind. I dyti u rendit kandidati i Nismës Isa Xhemajlaj me 5642 vota, ose 26, 19 për qind të numrit të përgjithshëm të atyre që votuan.
Kandidati i pavarur Xhavit Drenori fitoi 2633 vota, ose 12.62 për qind të atyre që dolën në zgjedhje. Elmi Thaçi i AKR-së mori 1589 vota, ose besimin e 7.62 për qind të votuesve të së dielës, ndërsa Bedri Nika i LDK-së u votua nga 1113 persona, ose 5.34 për qind të atyre që votuan.
Vehbi Berisha, kandidati i Partisë “Fjala” mori 567 vota, ose 2,72 për qind të votave. 27 vota, ose 0.13 për qind i mori kandidati i pavarur Naim Bazaj, ndërsa 9 vota, ose 0,04 për qind i pavaruri tjetër Rrahim Elshani.
Bazaj e Elshani e paralajmëruan tërheqjen nga gara por KQZ-ja nuk i largoi nga lista e votuesve.
Kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka tha se këtij institucioni i ka ardhur një shkresë nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa se ekzistojnë pesë ankesa për zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të Drenasit të zhvilluara të dielën, por Daka tha se ankesat nuk do të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa tha KALLXO.com se BIRN-i dhe Internews Kosova janë të vetmet organizata që kanë dërguar ankesa në lidhje me ditën e zgjedhjeve më 4 dhjetor.
http://kallxo.com/vetem-birn-dhe-internews-kosova-ankohen-per-zgjedhjet-ne-drenas/
Në balotazh që do të zhvillohet më 18 dhjetor do të shkojnë kandidatët e PDK-së dhe Nismës Ramiz Lladrovci e Isa Xhemajlaj.
Sipas KQZ-së fushata zgjedhore për balotazh fillon më 12 dhe përfundon më 16 dhjetor. Kërkesat për akreditim të vëzhguesve nisin nga sot dhe zgjasin deri më 15 dhjetor.
KQZ-ja në mbledhjen e sotme miratoi edhe planin operacional për balotazhin e Drenasit ku përfshihen mes tjerash shtypja e fletëvotimeve, paketimi i kutive të votimit dhe trajnimet eventuale.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Drenasit janë thirrur për shkak se ish kryetarit të komunës, Nexhat Demaku, muajin e kaluar Gjykata e Apelit ia vërtetoi një dënim në një akuzë për krime të luftës.
Në to kishin të drejtë vote rreth 53 mijë qytetarë, ndërsa sipas KQZ-së votuan 40.55 për qind të tyre.
KALLXO.com monitoroi gjatë tërë ditës së diel zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar komune në Drenas, duke evidentuar disa shkelje gjatë këtij procesi zgjedhor.
http://kallxo.com/kallxo-com-veren-parregullsi-ne-zgjedhjet-ne-drenas/