Kosovarët nuk i Besojnë AKI-së

Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillim të Politikave (KIPRED) sipas një raporti të publikuar sot erdhi në përfundim se Agjencia Kosovare e Inteligjencës është më pak e besueshme nga qytetarët.

Pas Agjencisë Kosovare të Inteligjencës ka pasur rënie në besueshmërinë së qytetarëve  për Presidenten dhe Kryeministrin.

Në shkurt të këtij viti dhe nëntor të vitit të kaluar KIPRED-i bëri disa anketime me qytetarët lidhur me besimin e përgjithshëm në institucionet e sektorit të  sigurisë. Kjo organizatë anketime të tilla bëri edhe në korrik 2015.

Në renditjen e notave 1 deri në 5 në korrik të vitit që lamë pas AKI-ja mori notën mesatare 3.02, e  në nëntor të 2015 dhe shkurt të 2016 nota mesatare ishte 2.57, thuhet në raportin e KIPRED-it.

Organizata shpjegoi pse ra besimi në AKI.

“Kredibiliteti i verifikimit të sigurisë nga AKI-ja pësoi goditje të rëndë në prill të vitit 2014, kur u zbulua që një nga zyrtarët më të lartë të AKI-së nuk kishte kryer shkollën e mesme fare,” tha drejtori i KIPRED-it Lulzim Peci.

Nga institucionet e sigurisë qytetarët sipas raportit të KIPRED-it kanë më së shumti besim te Forca e Sigurisë së Kosovës. Kjo forcë mori notën 3.69.

KIPRED-i bëri të ditur se kosovarët i besojnë më shumë forcës se ministrit të FSK-së.

Edhe Policia e Kosovës nuk qëndron keq me besueshmërinë. Ajo ka marrë notën 3.64. por si te rasti i Ministrisë së FSK-së, edhe Ministria e Punëve të Brendshme mori notë më të ulët se policia-2.35.

Raporti i KIPRED-it tregon se Skender Hysenit si ministër më shumë i besojnë komunitetet tjera se shqiptarët e serbët.

“Ministri i Punëve të Brendshme gëzon besim më të madh ndër komunitetet e tjera të pasuara nga komuniteti shqiptar dhe më pak te komuniteti serb,” thuhet në raport.

Ish-Presidentja Jahjaga është vlerësuar më lart për nga besueshmëria se Kryeministri Mustafa. Jahjaga ka marrë notën 2.68, ndërsa Mustafa 2.31.