Pamje nga mbledhja e Komisionit për Zhvillim Ekonomik - Foto: KALLXO.com

Kosova Bëhet me Ligj për Kamatëvonesën

Kosova për herë të parë do të bëhet me Ligjin për Kamatëvonesën. Projektligji i hartuar me ndihmën e Agjencisë për Zhvillim Ndërkombëtar të ShBA-së (USAID), të martën ka marrë përkrahjen e Komisionit parlamentar për Zhvillim Ekonomik dhe është dërguar për votim në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.

Ky projektligj trajton pagesat e vonuara në mes shoqërive tregtare.

Zëvendësministri i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Avni Kastrati, theksoi se ky Ligj synon zvogëlimin e rasteve të pagesave të vonuara në mes shoqërive tregtare dhe ka për synim nxitjen e konkurrencës për këto shoqëri.

Miratimi i këtij projektligji, sipas Kastratit, është paraparë në programin kombëtar për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit- MSA.

Kryesuesi i Komisionit për Zhvillim Ekonomik, Muhamet Mustafa, tha se borxhet dhe vonesat e pagesave janë një ndër barrierat për të bërë biznes në Kosovë.

“Një ndër problemet më të mëdha të biznesit janë borxhet, vonesat në pagesa të mallit apo shërbimeve të tyre, si dhe borxhet ndaj ndërmarrjeve publike. Ky Ligj ka një rëndësi shumë të madhe. Ky Ligj duhet të votohet sa më shpejtë në Kuvend në mënyrë që të hyjë në fuqi në muajin shtator”, tha Mustafa.

Ardi Shita, nga USAID-i, tha se projektligji është në përputhje me direktivat e BE-së. Ai ka thënë se çështja e kamatëvonesës mund të jetë çështje kontraktuale në mes të palëve. Madje, sipas tij, palët kontraktuale mund të pajtohen që mos të aplikohen kamata edhe në rast të vonesës së pagesës.

“Kamatëvonesa lind në momentin kur fatura bëhet e vlefshme e jo kur mbaron marrëdhënia kontraktuese”, tha Shita.

Përmes këtij Ligji synohet të arrihet një ndryshim thelbësor për një kulturë të pagesës së shpejtë dhe në kohë. Lartësinë e kamatëvonesës do ta përcaktojë Banka Qendrore në fillim dhe në mes të vitit fiskal.

Telashe me vonesa në pagesën e faturave kanë pasur bizneset edhe kur borxhlinj kanë qenë organet shtetërore. Më së shumit vonesa në pagesa janë bërë nga komunat, të cilat kanë nisur projekte në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2013 pa pasur zotime paraprake të mjeteve.