Kastrati: Kemi sfida në angazhimin e regjistruesve të komunitetit serb, por presim se do të tejkalohen

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) përmes një konference për media të mbajtur më 08.04.2024 ka prezantuar procesin e punës në terren në ditët e para të regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Ushtruesi i detyrës së kryeshefit ekzekutiv të ASK-së, Avni Kastrati ka thënë se deri më tani nuk ka pasur ndonjë telash dhe se çdo gjë ka shkuar mirë, megjithëse ka edhe sfida.

“Gjatë këtyre ditëve regjistruesit kanë pasur disa aktivitete, intervista. Aktualisht 98% e mbikëqyrësve janë aktiv, derisa 90% e regjistruesve që kemi paraparë janë aktiv në teren”- ka thënë ai.

E sfidë sipas Kastratit mbetet regjistrimi nga kominiteti serb, ndonëse ai shpreson që edhe kjo do të kalohet.

“Kemi sfida nga komuniteti serb, por jo në të gjithë Kosovën. Presim që këto ditë edhe ato sfida të kalohen. Dje ishim në pjesën veriore me disa kolegë dhe ditëve në vijim edhe ata do të angazhohen në regjistrim”- theksoi Kastrati.

Pyetësori për regjistrimin e popullsisë është në katër gjuhë: shqipe, angleze, serbe dhe turke.

Procesi i regjistrimit ka filluar me 5 prill.