Banorët në Fushë Kosovë e Prishtinë: Kush do të konsiderohet rezident?

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka folur për regjistrimin e popullsisë që do të nis nga 5 prilli dhe do të zgjas deri më 17.05.2024.

Ai në “Kallxo Përnime”, është pyetur për Komunën e Fushë Kosovës dhe Prishtinës të cilat në vitin 2011, kur u bë regjistrimi i popullsisë, janë ankuar se kanë banorë më shumë por mjete financiare nga Qeveria po u ndahen më pak.

“Në 2011 është bërë një raport i kualitetit që ka treguar saktë sa për qind e banorëve kanë mbetur pa u regjistruar dhe sa janë regjistruar si jo rezident, por i kanë futur si rezident. 2.4% e banorëve kanë mbetur pa regjistruar që është diku rreth 40 mijë persona, por që është në kuadër të kornizave të nivelit botëror. Regjistrimi në 2011 ka qenë projekti më i madh i monitoruar nga BE-ja. Regjistrimin e popullsisë në 2011 e kanë bërë komunat jo ASK-ja”- tha Kastrati.

Ai ka shtuar se gjatë asaj kohe, secili kryetar komune ka pasur obligim ta plotësoj një formular dhe është pyetur se sa për qind e qytetarëve mendoni që kanë mbetur pa u regjistruar.

“Vetëm një komunë është 98%, tjerat janë 99%-100%, vet që i kanë nënshkruar kryetarët e komunave”- tha tutje Kastrati.

“Komuna e Prishtinës ka pasur 12 anëtarë që kanë punuar edhe jashtë orarit, komuniteti serb në vitin 2011, në Graçanicë e Shtërpcë u pajtua me regjistrim disa ditë me vonesë ndërsa veriu e bojkotoi sepse intervenoi Beogradi, pasi këta u vonuan ndërkombëtarët me shty afatin edhe 5 ditë, na i bëmë një qarkore të gjitha komunave, ditëve të fundit ra s’kishte më numër të regjistrimit të popullsisë, Prishtina bëri kërkesë dhe tha se mendojmë që ka ende nevojë për shtyrje të afatit”- tha Kastrati.

Regjistrimi i fundit i popullsisë është bërë në vitin 2011.