Droga e konfiskuar nga Policia Rajonale e Pejës - Foto: Policia e Kosovës

Konfiskohen Armë e Drogë në Istog

Policia Rajonale e Pejës njofton së gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit Q.D. në rajonin e komunës së Istogut ka gjetur dhe konfiskuar disa armë automatike dhe substanca narkotike.

Sipas njoftimit, Policia ka zbatuar urdhrin për bastisje dhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarit Q.D. (1965) dhe gjatë kontrollimit janë gjetur dhe konfiskuar armët automatike: Pushkë-mitraloz M-53, pushkë automatike AK-47 me 23 fishekë, karikator dhe 11 pjesë të armëve të ndryshme.

Po ashtu, janë gjetur dhe konfiskuar 945 gramë substancë narkotike që dyshohet të jetë e bimës së kanabisit.

Njoftimi tutje bën të ditur së i dyshuari pas intervistimit për armëmbajtje pa leje është transferuar në njësinë  e Drejtorisë së Hetimeve të Trafikimit me Narkotik në Pejë për procedim të mëtutjeshëm për substancat narkotike.

Ndaj të dyshuarit do të hapet rast për blerje, posedim, shpërndarje, shitje e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge.

Ndaj të dyshuarit njësitet përkatëse në bashkëpunim me prokurorin e shtetit do marrin të gjitha procedurat dhe rregullat ligjore, njofton Policia.

Mitralozi M-53 i konfiskuar në Istog – Foto: Policia e Kosovës