Komuna e Pejës u Kërkon Bizneseve ta Zbukurojnë Qytetin

Katër kompani pejane janë ofruar për të zbukuruar për festat e fundvitit qytetin e Pejës, pasi këtë ua ka kërkuar komuna.

Durim Sheremeti, shefi i kabintetit të kryetarit Gazmend Muhaxheri tha për KALLXO.com se Komuna e Pejës nuk ka ndarë buxhet për zbukurimin e qytetit për festat e fundvitit, sepse sipas tij kjo mund të bëhet pa harxhuar mjete nga buxheti i komunës.

Ai tregoi se si i ka siguruar komuna paratë për zbukurimin e Pejës.

“Komuna e Pejës fillimisht ka dërguar ftesë publike te të gjitha kompanitë e mëdha dhe nga kjo ftesë kemi marrë interesim nga 4 kompani,” tha Sheremeti.

dekorim (2)

Sipas tij këto katër kompani janë ofruar për ta zbukuruar Pejën.

Sheremeti tregoi se vitin e kaluar zbukurimi i qytetit ka kushtuar 10 mijë euro, por bëri të ditur se ndihma nga kompanitë nuk është kërkuar për arsye të mungesës së buxhetit komunal.

“Kjo nuk ka të bëjë me qëndrimin jo te mirë të komunës me buxhet, por me mirëmenaxhimin e financave publike. Duke u nisur nga kjo e fundit, Komuna Pejës e ka pa të arsyeshme të ndërmarrë këtë iniciativë, “ tha Sheremeti.

Kurse, kreu i opozitës në Pejë-kryetari i AAK-së Naim Sahiti, tha për KALLXO.com se një veprim i tillë  ndodh kur buxheti i paraparë i  komunës të jetë harxhuar.

dekorim (3)

Sipas tij, as mënyra si ka vepruar komuna për dekorimin e  qytetit nuk është e keqe.

 

“Sa i përket marrjes se ndihmave për zbukurim të qytetit nuk e vlerësojmë së është veprim i keq, por kjo duhet të ndodhë pasi që komuna të ketë shpenzuar shumën që e ka të paraparë me buxhetin e komunës. Ndërsa në Kuvendin e Komunës fare nuk është diskutuar asnjëherë kjo çështje,” tha Naim Sahiti.

Armend Imeraj, qytetar nga Peja, thotë se  qyteti i Pejës asnjëherë nuk është dekoruar si duhet për festat e fundvitit.

“Asnjëherë nuk është dekoruar si duhet qyteti i Pejës për festat e fundvitit. Gjithmonë janë bërë dekorime të arnuara për çdo fundvit. Sivjet nuk pashë diçka ma interesant, sheshi kryesor i qytetit duhet të vërehet që është stolisur,“ tha Imeraj.

Edhe pejania Linda Demaj, tha për KALLXO.com se nuk vërehet që ka ambient feste në sheshin e qytetit.

“Dekorim sikur mos të kishte festë,“ u shpreh Linda.

dekorim (1)