Komuna e Drenasit - Foto: Facebook/ Komuna e Drenasit

Komuna e Drenasit huazon gjenerator nga një qytetar për t’i siguruar ngrohje një shkolle

Komuna e Drenasit e ka huazuar një gjenerator nga një qytetar për të mundësuar ngrohjen në shkollën fillore “Azem Bejta” në fshatin Shtuticë.

Në pamundësi që të sigurohet nga buxheti i Komunës, kjo shkollë është detyruar që të marrë një gjenerator nga prindi i njërit nxënës të kësaj shkolle, derisa Drejtoria e Arsimit të sigurojë gjeneratorin e vet.

Rastin për KALLXO.com e ka konfirmuar edhe drejtori i shkollës “Azem Bejta” , Naim Veliqi, i cili tha se deri të enjten nuk kanë pasur ngrohje, por që gjeneratori i huazuar u ka mundësuar ngrohjen.

“Jemi duke u furnizu me ngrohje qendrore prej të enjtes. Po, gjeneratorin e kemi marrë prej një prindi, ende nuk e kanë pru të shkollës por na kanë thanë që kanë me na pru dhe normal shkolla ka ngrohje dhe procesi mësimor është duke vazhdu”, tha ai.

Drejtori i Drejtorisë së Arsimit, Tafil Halilaj tha për KALLXO.com se ngrohje kanë të gjitha shkollat në këtë komunë, dhe se çështja e gjeneratorit sipas tij do të zgjidhet shumë shpejt.

“Unë nuk e di, nga asnjë drejtor nuk kam informacion që nuk ka ngrohje. Kanë dru, edhe me lyp ende ka dru. Tenderin e ka fitu një kompani kështu që po shpërndahen drutë. Jam në dijeni për gjeneratorin por do të bëhet zgjidhje sa më shpejt”, tha ai.