Komisionet parlamentare raportojnë për mbikëqyrjen e marrëveshjeve Kosovë - Serbi

Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës kanë mbajtur takimin e katërt koordinues të komisioneve parlamentare të Kuvendit të Kosovës mbi rolin mbikëqyrës të dialogut Kosovë – Serbi.

Vjosa Osmani, kryetare e Komisionit për Punë të Jashtme, ka thënë se Qeveria ka dërguar raport përmbledhës pak para pushimit të verës. Sipas Osmanit Konkluzion i Komisionit të Punëve të Jashtme ka qenë që Republika e Serbisë mbi 2/3 e marrëveshjeve nuk i zbaton.

“Është raport shumë i shkurtë por i evidenton sfidat. Ngecje ka vetëm në dy marrëveshje nga ana e Kosovës”, tha Osmani.

Jeta Krasniqi nga  KDI tha se gjatë këtij viti e kanë vazhduar punën me komisionet parlamentare.

“Gjatë këtij viti në shumë raste komisionet nuk kanë qenë aq aktive dhe ka hapësirë që më shumë komisionet të jenë më aktive”, tha Krasniqi

Muharrem Nitaj nga Komisioni për Bujqësi tha se tani ka zhvillim të ri me dialogun mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që mos të diskutohet për marrëveshjet e kaluara por se çfarë do të ndodh të ardhmen.

“Është ndërruar edhe ekipi i negociatave dhe Kosova po fitet në fazën finale të zhvillimit të dialogut. Nëse ne diskutojmë për periudhë të kaluar nuk di sa do të jemi funksional. Duhet të diskutojmë për fazën që do të nis tani e jo të merremi me faza të kaluara edhe pse nuk kanë qenë të zbatuara”, tha Nitaj.

Osmani shtoi se ideja e diskutimit është që të diskutohet se çfarë komisionet kanë bërë deri më tani.

“Ende nuk është krijuar mekanizëm i ri.  Të bëjmë një vlerësim të marrëveshjeve që janë arritur duke u bazuar në raportin e qeverisë që është dorëzuar gjatë këtij viti. Ideja është me pa që deri tani çka kanë bërë Komisionet”, tha ajo

Driton Selmanaj nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike tha se rezoluta e re e Kuvendit e përjashton angazhimin e komisioneve parlamentare.

“Ne kemi pas rezolutë në 2011 që ka përcaktu mënyrën si do të angazhohen komisionet.Tash e kemi një rezolutë tjetër që kërkon një komision të ri për këtë çështje dhe që e përjashton angazhimin tonë. Unë jam kundër që po ndodh kjo”, tha Selmanaj.

Gjatë këtij takimi ka filluar rrëfimi i kryetarëve të Komisioneve të Kuvendit për të tregu punën që e kanë bërë nëpër komisionet që i udhëheqin lidhur me mbikëqyrjen e marrëveshjeve Kosovë – Serbi.

Safete Hadërgjonaj nga Komisioni për Buxhet dhe Financa tha se duke analizu marrëveshjet kanë pa që ka pas zbatueshmëri të mirë por edhe sfida dhe vështirësi.

“Marrëveshja për doganat ka filluar prej 2013 me u zbatu edhe në serbi me vështirësi ka fillu të zbatohet por është duke u zbatu prej vitit 2015. Kemi dikutu edhe për taksën 10 për qind e pastaj që u bë 100 për qind në raport me Serbinë. Në tërësi dogana është duke e zbatu një vendim të tillë”, tha Hadërgjonaj.

Albulena Haxhiu, nga komisioni për Legjislacion tha se e kanë mbikëqyr marrëveshjen për drejtësi.

“Kjo ka qenë marrëveshje politike dhe etnike. Emrat që i ka propozu Serbia/Vuçiq i ka instalu Kosova. Është fjala për policin që dyshohet se e ka dhunuar zonjën Vasfije Krasniqi”, tha Haxhiu.

Gjithashtu sipas Haxhiut Kryetari i Gjykatës Themelore të Mitrovicës së Veriut Kabashiq, u ka dërgu letër ambasadorëve që do të ndalohet puna e gjykatës shkaku i taksës 100 për qind.

“Për këtë e kemi pas të ftuar Ministrin në Komision. Kjo ka qenë e pa pranueshme për komisionin tonë. Është absurde gjithashtu të kërkohet zbatim për marrëveshjen për zajednicën. Nuk duhet të kërkojmë zbatim të marrëveshjeve që janë të dëmshme. Duhet të kërkojmë zhvleftësim të marrëveshjeve të dëmshme. Të bëhet bilanci i 33 marrëveshjeve dhe nuk mund të vazhdojmë me format të ri të dialogut thuajse nuk ka ndodhur asgjë”, tha ajo duke shtuar se rezoluta e re për ta është e pavlefshme sepse sipas saj ekipi negociator nuk kanë autorizim që ta zëvendësojnë LVV e LDK si dhe nuk mund të udhëhiqet nga një kryetar i komunës dhe një zëvendëskryeministër”, tha ajo.

Sala Berisha Shala nga komisioni për Zhvillim Ekonomik tha se në mars ka ftuar dy institucione ZRrE dhe KOST. Gjithashtu, ministri Lluka na ka dhënë informacion për marrëveshjet e energjisë.

“Serbia po i zvarrit marrëveshjet në fushën e energjisë”, tha Berisha Shala.

“Bordi i ZRrE është zvarritur nga ana e deputeteve për një vit, tani kemi një Bord gjysmak pritet të kompletohet dhe nuk po ndodh, është i pakompletuar bordi i KOSST dhe është në proces dhe të jemi unik në këto çështje që janë obligimet tona si deputet, pa ngjyrime politike”, tha Berisha-Shala.

Berisha-Shala tha se ka dështuar një votim i Kosovës për kufijtë energjetik dhe sipas saj kjo mirë që nuk është votuar sepse sipas saj nëse do të votohej kjo Kosova kufijtë energjetik do të i kishte deri në Liqenin e Ujmanit.

Besa Baftiu nga Komisioni për Shëndetësi ka folur për marrëveshjen për regjistrimin e barnave.

“Kjo marrëveshje është duke u zbatu 100 për qind. 123 produkte që vijnë nga Serbia po regjistrohen. Asnjë produkt nga ana e Kosovës nuk është regjistruar në Serbi”, tha ajo.

Osmani ka kërkuar që komisionet ti dërgojnë raportet me shkrim për këto tema në KDI.