Lajçak për takimin për dinarin: Javën e ardhshme mblidhemi me ambicien për të gjetur një zgjidhje

Emisari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka deklaruar se diskutimet e takimit të sotëm, më 25.03.2024, për Rregulloren e Bankës Qendrore për transaksionet me para të gatshme ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme.

Lajçak paralajmëroi edhe për një takim që mund të mbahet gjatë javës së ardhshme, për të cilin emisari thotë se u dakorduan që të mblidhen me ambicien për të gjetur një zgjidhje.

“Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë kanë prezantuar sot propozimet për rrugën përpara për personat e prekur nga Rregullorja e BQK-së për operacionet me para të gatshme. Diskutimet tona të gjata ndihmuan për të sqaruar detaje të rëndësishme. Javën e ardhshme ne ramë dakord të mblidhemi sërish me ambicien për të gjetur një zgjidhje”- ka shkruar Lajçak në rrjetin social X.

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se mendon që ka nevojë edhe për një takim shtesë për çështjen e dinarit serb, pas takimeve që zhvilloi me kryenegociatorin e Serbisë, Petar Petkoviq, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, raporton REL.

“Mendimi im është se këto propozime ende janë shumë larg njëra-tjetrës. Ne tentuam të afroheshim, por si duket ka nevojë për një takim shtesë. Ndoshta Lajçak do të ofrojë që ai të mbahet javën e ardhshme”- tha Bislimi.

Bislimi tha se gjatë takimit në Bruksel, të ndërmjetësuar nga i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Kosova ka paraqitur dy propozime, por nuk dëshiroi që të shpalosë detaje.

“Ne kemi dy propozime. Ne e dimë se cili është fokusi i secilës palë, por në këtë pikë do të dëmtonte më shumë procesin nëse ne vazhdojmë të paraqesim detajet e dy propozimeve”.

Në takimin e kaluar kryenegociatorët ishin dakorduar që palët deri më 22.03.2024 të dorëzojnë propozimet.

Më 01.02.2024 në Kosovë ka nisur të zbatohet Rregullorja e BQK-së për operacione me para të gatshme. Përveç tjerash, kjo Rregullore e përcakton euron si valutë të vetme që përdoret si mjet pagese në Kosovë.

Kjo ka ngjallur reagimin e komunitetit serb që jeton në Kosovë, pjesëtarë të të cilit bëjnë pagesa edhe me dinarë.

Kosova është përballur me kritika dhe paralajmërime serioze për prishje të mundshme të raporteve me SHBA-në.

SHBA dhe vendet e tjera të QUINT-it kanë kërkuar shtyrjen e zbatimit të vendimit të BQK-së.

Bashkimi Europian vazhdimisht ka kërkuar që çështja e Rregullores së BQK-së të diskutohet në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Më 05.03.2024, zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi ka pritur në takim përfaqësuesin e posaçëm të Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Bislimi gjatë takimit me Lajçakun ka thënë se Rregullorja e Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) nuk është pjesë e procesit të dialogut e as subjekt i negociatava mes palëve.