BE Kërkon Reforma në Gjyqësor për ta Luftuar Informalitetin

Lufta kundër ekonomisë jo formale, shpërlarjes së parasë dhe luftimi i terrorizmit ende mbeten sfida për Kosovën, thuhet në raportin e BE-së për vlerësimin mbi shtrirjen e ekonomisë joformale në Kosovë.

Ministri i Financave, Bedri Hamza, theksoi se prioritet i Qeverise është funksionalizimi i bizneseve për t’i luftuar këto fenomene.

Por ai pati vërejtje në vlerësimet ndërkombëtare që po i bëhen Kosovës.

“E çmoj lart punën e cila është bërë ne raport, po megjithatë është një vlerësim ku po ka diskrepancë mes raporteve ndërkombetare dhe vendore, diçka ndryshe na del prej FMN-së, diçka ndryshe na del nga Banka Botërore e diçka ndryshe nga Komisioni i BE-se. Megjithatë pajtohemi se informaliteti është prezent mbi mesataren e vendeve te BE-së dhe këtë duhet ta luftojmë”, tha Hamza.

Sipas tij, bizneset kanë qenë dhe mbeten prioritet pasi që “prezenca e ekonomisë joformale dëmton buxhetin dhe konkurrencën dhe i paraprin shpërlarjes se parasë dhe financimin e terrorizmit”.

“Rrjedhimisht Ministria e Financave dhe agjensionet e saj tatimbledhëse kanë ndërmarrë masa për formalizimin e bizneseve andaj norma e rritjes tatimore është më e lartë se norma e rritjes ekonomike”, tha ministri i Financave.

Nataliya Apostolova, shefe e Zyrës së BE-së në Kosovë, theksoi se nuk mjafton luftimi i informalitetit vetëm ne reforma në administratë. Sipas saj, reformat duhet të shtrihen edhe në gjyqësor në mënyrë që të bëhet më shumë në konfiskimin e pasurive të fituara përmes rrugëve të paligjshme.

“Luftimi i ekonomisë joformale është çështje me rëndësi për BE-në dhe është vështirë ta luftosh një armik pa e gjetur shkakun andaj jemi përkushtuar përmes raportit të gjejmë shkaktarët për luftimin e kësaj dukurie, mund të flasim për një zvoglim të ekonomisë joformale në Kosovë dhe kjo është për shkak reformave te marra nga MF, gjegjësisht nga Dogana dhe ATK-ja që kanë bëre punë të mirë, por nëse llogaritet vlera prej 400 milionë euro nga ekonomia e zezë dhe joformale nuk mjaftojnë vetëm reformat e administratës, ne presim nga qeveria zbatimin e ligjit dhe forcimin e gjyqësorit përmes konfiskimit t’u shkaktojmë dhimbje atyre që i paraprijnë kësaj dukurie”, tha Apostolova.

Antonin Brahi ekspert i projektit të BE-së theksoi se sektorit të ndërtimit duhet t’i kushtohet rëndësi e veçantë.

“Shumica e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë janë biznese familjare, dhe të hyrat e tyre tregojnë se sa formale janë ato biznese. Sa i përket performancës ekonomike ku Kosova ka arritur mjaft mirë në kuptim të efekteve që është nën shkallen e borxhit krahasuar me vendet tjera, ka rritur punësimin, por krahasimi i Kosovës me shtetet tjera me një mesatare kaq të lartë prej 31.7% të ekonomisë jo formale nuk na tregon një përmirësim”, tha ai.

“ATK dhe Dogana kanë bërë një pune të mirë në mbledhjen e tatimeve por mbeten disa sektorë problematik siç është sektori i ndërtimit aty duhet shtuar kontrollin”, tha Brahi.