Kërkohet Zbardhja e Rastit të Vrasjes së Donjetës

Në njëvjetorin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt nga Strellci i Deçanit te varri i saj u bënë homazhe si dhe u kërkua nga organet e drejtësisë ta zbardhin rastin tërësisht.

Babai i Donjetës, Halili, tha se dyshon se përveç personit të arrestuar, në vrasjen e vajzës së tij ka edhe të tjerë të implikuar.

“Duhet me pasë edhe persona tjerë se pasha Zotin vetëm tybe ka mujtë me bo ai, se s’ka mujtë se u kanë i smutë e nuk ka mujtë mi i bo të tanat”, tha Halil Pajazitaj.

Ndërsa, për Shkëlqimin, vëllain e viktimës, është e pakuptueshme pse po zgjatë kaq shumë ndriçimi i rastit, pasi që, sipas tij, organet e drejtësisë e kanë më të lehtë pas arrestimit të një të dyshuari.

“Kur e gjen fijen e lëmshit mundesh me zgjidhë krejt kollaj. Nuk e di pse po zgjatë kaq shumë”, tha vëllai i të ndjerës.

Në njëvjetorin e vrasjes, shoqëria civile e Deçanit organizoi homazhe te varri i saj, me ç’rast u kërkua të bëhet më shumë rreth hetimit të rastit.

“Organizimi i këtij homazhi jo vetëm që ka për qëllim ta nderojë jetën dhe veprën e trupit të njomë të Donjetës, por t’u bëjmë thirrje edhe institucioneve të hetuesisë ketë rast prokurorisë së shtetit që me seriozitetin me të madh jo vetëm ketë rast po gjitha rastet e tjera të zbardhen”, tha Adem Lushaj nga shoqëria civile.

Aktivitetet e tilla dhe presionet qytetare nuk duhet ndalur derisa të zbardhet krejtësisht një prej vrasjeve me të rënda në vend, tha kryetari i Komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, gjatë homazheve te varri i Donjeta Pajazitajt.

“Mendoj se ne nuk duhet me ndal presionin edhe aktivitetin. Unë du me besu që organet e drejtësisë kanë me bo punën e vet me zbardh ketë krim që ka qenë një prej krimeve ma të rënda që ka ndodhë në vendin tonë”, tha Selmanaj.

Ndërsa, prokurorja e rastit, Valbona Haxhosaj-Disha, tha për KALLXO.com se për vrasjen e Donjeta Pajazitajt një preson i dyshuar po mbahet në paraburgim qe sa kohë.

Ajo përmes telefonit tha se Prokuroria është në pritje të provave të cilat kanë dalë jashtë vendit për ekzaminim.

“Pasi t’i marrim rezultatet e ekzaminimeve, të cilat janë dërguar jashtë vendit, do veprojmë”, tha prokurorja për KALLXO.com.

Në nëntor të vitit të kaluar, Donjeta Pajazitaj fillimisht nga familjarët e saj u shpall e zhdukur, ndërsa gjashtë javë me vonë trupi i pajetë i saj u gjet në bjeshkët e Deçanit.

http://kallxo.com/gjendet-nje-trup-i-pajete-ne-bjeshket-e-decanit/

Pak ditë pas gjetjes së trupit të Donjeta Pajazitajt, KALLXO.com raportori për arrestimin e një të dyshuari për vrasjen e saj.

http://kallxo.com/arrestohet-i-dyshuari-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitit/

KALLXO.com po ashtu raportoi për deklarimin e të dyshuarit rreth vrasjes së Donjetës ditën kur doli para trupit gjykues për shqiptimin e masës së sigurisë.

http://kallxo.com/flet-i-dyshuari-per-vrasjen-e-donjeta-pajazitit/

Marsh paqësor u mbajt edhe në Pejë për zbardhjen e vrasjes së Donjeta Pajazitit.  http://kallxo.com/kerkohet-ndricimi-i-vrasjes-se-donjeta-pajazitit/