Autobus në Prishtinë | Foto nga Rron Gjinovci

Kërkohet Fajtori Për Autobusët dhe Gropat

Ministri i Financave Avdullah Hoti e paraqiti në Kuvend ratifikimin e Marrëveshjes për hua ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim për rehabilitimin e rrugëve rajonale, duke kërkuar që ajo të kalojë në Kuvend.

Kur deputetët filluan të flasin për këtë çështje, Visar Ymeri ia kujtoi Hotit kredinë me të njëjtën bankë për autobusët e “Trafikut Urban” në Prishtinë, duke thënë se e njëjta procedurë si për rrugët rajonale ka mundur të ndiqej edhe për kredinë e autobusëve.

Ministri Hoti iu përgjigj akuzave të Ymerit me fjalët se “për autobusët unë jam i detyrum me zbatu Ligjin për Borxhin Publik”.

Ministria e Financave dhe Komuna e Prishtinës akuzojnë njëra-tjetrën për mosratifikimin e marrëveshjes për kredi që do t’i mundësonte “Trafikut Urban” blerjen e 51 autobusëve të rinj. Komuna pretendon që garancionin financiar për autobusët ta japë ministria, ndërsa ministria ia kërkon këtë gjë komunës.

Ky konflikt ka shtyrë pajisjen me 51 autobusë të kryeqytetit për më shumë se një vit, ndërsa vetëm më 18 maj u tejkalua ky dallim kur komuna pranoi të garantojë BERZh-in për autobusët.

http://kallxo.com/pas-debatit-pajtim-per-kredine-e-autobuseve/

Në Kuvend pastaj në debatin mes Ymerit e Hotit, u përfshi edhe deputeti i LDK-së Armend Zemaj.

Zemaj tha se Komuna e Prishtinës njëherë duhet t’i mbyllë gropat e pastaj t’i sjellë autobusët e rinj.

“Sa u përket autobusëve më mirë është m’i mbyllë gropat në Prishtinë se pastaj prishen autobusët,” tha Zemaj.

Fjalët për gropat e inkuadruan në debat edhe Glauk Konjufcën. Konjufca tha se Isa Mustafa gjatë qeverisjes së tij ka lënë shumë gropa.

“Në Prishtinë është vështirë me i mbyllë gropat e Isës . Prej krejt atyre janë mbyllë nja 10 mijë edhe nja 5 mijë kanë mbetë,” tha Konjufca.

Pastaj deputetët me 82 vota për dhe pa abstenime e kundërshtime ratifikuan marrëveshjen për kredi e BERZh-in për rrugët rajonale, ndërsa u shty në ndonjë seancë tjetër ratifikimi i Marrëveshjes Financiare Ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për Investime për Projektin e Rehabilitimit të Linjës Hekurudhore 10, pasi Lëvizja “Vetëvendosje” paralajmëroi se nuk do ta votojë atë.