Autobuse/Trafiku Urban
Përparim Rama: 10 mijë udhëtarë më shumë po përdorin ‘Trafikun Urban’ që nga janari
Kryetari i Prishtinës Përparim Rama ka njoftuar se me aplikimin e biletës ditore në sistemin e pagesës në Trafikun Urban, numri i udhëtarëve është rritur për 10 mijë më shumë.
“10,000 udhëtarë më shumë po përdorin autobusët e “Trafiku Urban”, si rezultat i vendimit të marrë në muajin janar të këtij viti për përdorimin e biletës ditore” – është shprehur Rama.
Ai theksoi se shpejt Trafikut Urban do i shtohen edhe 30 autobusët e rinj.
“Shumë shpejt flotës së Trafikut Urban do t’i shtohen edhe 30 autobusë të rinj, 6 prej të cilëve do të jenë elektrik. Kjo do të përmirësojë tutje shërbimet e ofruara për qytetarët”- shtoi tutje Rama.
Në fillim të këtij viti komuna vendosi që të bëjë reforma në pagesën për autobusët e Trafikut Urban.
Bileta një drejtimshe u bë nga 40 centë në 50 centë. Derisa u shtua edhe bileta ditore prej 80 centë me të cilën brenda 24 orëve mund të udhëtohet me të gjithë autobusët e ndërmarrjes, përpos linjës 1A (aeroport) që ka biletë standarde 3 euro.
Bileta ditore nuk vlen për linjat e kompanive private si 2, 3A, 7, 7A, 7B, 10.
Trafiku Urban aktualisht në pronësi ka 81 autobusë.
Përpos blerjes së autobusëve të rinj, komuna ka në plan të blejë edhe minibusë për mbulim të fshatrave të Prishtinës.
Sahatçiu për reformat në Trafikun Urban: Me 80 cent në ditë, udhëto pa limit