Foto: KDI
KDI: Qytetarët duan raporte të mira me ndërkombëtarët dhe taksë për Serbinë
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka shpalosur një analizë përmes së cilës i ka prezantuar skenarët sa u takon efekteve pozitive dhe negative në rast të mbajtjes apo pezullimit të taksës prej 100 për qind, që Qeveria e Kosovës ka vendosur në produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnje e Hercegovina.
Mbajtja e taksës në fuqi, sipas KDI-së, ka shpërfaqur marrëdhëniet reale midis Kosovës dhe Serbisë si dhe faktin se sa larg janë palët nga normalizimi i marrëdhënieve.
Sipas këtij Instituti, efekt negativ i mbajtjes në fuqi të taksës është kushtëzimi i Serbisë për të vazhduar dialogun me Kosovën dhe rrjedhimisht fuqizimin e pozitës së saj në raport me bashkësinë ndërkombëtare.
Sa i takon skenarit të dytë, efekt kryesor pozitiv i pezullimit të taksës do të ishte vazhdimi i dialogut dhe forcimi i pozitës negociuese të Kosovës, ndërsa efekti negativ i pezullimit sipas KDI-së, do të ishte vazhdimi i dialogut pa një qëndrim unik të spektrit politik në Kosovë.
Gjatë prezantimit të analizës, Jeta Krasniqi nga KDI ka thënë se “pezullimi i taksës mund të kishte efekt në përmirësimin e raporteve në mes të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë”.
Përveç tjerash, KDI ka thënë se qytetarët mirëpresin ruajtjen e marrëdhënieve të mira me partnerët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara, ndërsa pezullimi i takës do të ndikonte në rënien e besueshmërisë së qytetarëve ndaj institucioneve të Kosovës.
Bashkimi Evropian ka kundërshtuar vendosjen e kësaj mase në importet e Serbisë dhe Bosnjës, derisa Shtetet e Bashkuara kanë thënë se mospezullimi i tarifës prej 100 për qind përbën qëndrim kundër interesave të SHBA-së.