Përplasjet e brendshme që po e dëmtojnë politikën e jashtme

Në një situatë të çakorduar janë përfshirë partnerët e koalicionit qeverisës, sa i përket dialogut me Serbinë dhe politikës së jashtme në përgjigjithësi.

Emërimi i Skender Hysenit si koordinator shtetëror për negociatat me Serbinë, nga ana e kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, nxiti reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, e cila po kërkon rol më përfshirës në këtë proces.

Në anën tjetër, Lidhja Demokratike e Kosovës ka shfaqur qëndrime kundërthënëse në të dyja qeveritë e fundit të vendit.

Koordinatori i dialogut, Skender Hyseni aktualisht po zhvillon takime të ndryshme ndërkombëtare, përderisa në anën tjetër, ministrja e Jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla e cila vjen nga radhët e AAK-së, po mban agjendën e saj të takimeve jashtë vendit, me bashkëpartiakë të saj.

Kjo nuk është hera e parë që në politikën e jashtme të Kosovës ka “mbivendosje” të pozitave shkaku i dialogut dhe çështjeve të lidhura me këtë proces.

Njëjtë ndodhi edhe në mandatin e shkurtër të qeverisë Kurti kur Skender Hyseni, si i dërguar i LDK-së udhëtonte në Berlin e Uashington për t’u takuar me zyrtarë amerikanë rreth dialogut pavarësisht faktit se kjo parti ishte pjesë përbërëse e koalicionit qeveritar.

Mënyra se si Avdullah Hoti po e bën dialogun ka ngjallur shpesh reagime të ashpra nga partneri i vogël i koalicionit, Aleanca për ardhmërinë e Kosovës.

Mustafa e ka qortuar dje Haradinajn për qëndrimet në koalicion, duke deklaruar se po shfaqë mungesë disipline qeverisëse.

Mustafa ka paralajamëruar edhe gatishmëri  për “rikonfigurime” kur tash e disa javë po përmendet mundësia e përfshirjes së PDK-së së Kadri Veselit në Qeverinë Hoti.

Në lidhje me këto zhvillime, analisti politik Belul Beqaj thotë për KALLXO.com se koalicioni qeverisës është krijuar në baza të kundërta rreth dialogut.

“AAK-ja ishte kundër ndarjes, ndërsa LDK-ja ishte në funksion të variantit të administratës amerikane që nuk përjashtonte elementin territorial, ngase Qeveria Hoti ishte rezultat i skenarit amerikan”, thotë Beqaj.

“Çështje krejt tjetër është pse Ramush Haradinaj sot favorizon adminstratën amerikane dhe krejt tjetër pse kryeminsitri Hoti do të pranoj çdo variant, ngase alterantiva  e këtij mospajtimi eventual do të ishte shpërbërja e kësaj Qeverie”, shton ai.

Sipas Beqajt, kundërthëniet për politikën e jashtme tejkalohen vetëm nëse zgjidhja kërkohet të gjendet vetëm brenda territoreve ekzistuese të Kosovës e Serbisë.

“Problemi i kundërthënieve (të brendshme dhe të jashtme) është shfaqë nga momenti kur si zgjidhje përfundimtare kryetarët Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq, si përmbajtje të zgjidhjes e kanë vendosur territorin. Nga ky moment kanë filluar edhe kundërthëniet ndërkombëtare dhe në Kosovë. Kjo kundërthënie tejkalohet kur eleminohet definitifisht nga gjithë faktorët relevantë opsioni se zgjidhja duhet kërkuar vetëm dhe vetëm brenda territorieve ekzistuese  të Kosoves dhe Serbisë”, u shpreh analisti për KALLXO.com.

Ndërkaq, Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), thekson se në përgjithësi në Kosovë ka një mungesë të konsensusit politik rreth procesit të dialogut.

“Kjo është diçka që ka kohë që jemi duke e parë në skenën politike në vend, por edhe brenda koalicionit qeverisës. Partitë politike kanë qëndrime të ndyrshme rreth këtij procesi, qoftë përfshirë erdhe për angazhimin e z. Skender Hyseni si shef i negociata për dialogun e Brukselit”, shprehet ajo.

Sipas Krasniqit, kjo dëmton pozicionin e Kosovës, por edhe thekson nevojën që nga pala kosovare të lihen anash kalkulimet politike për të shkuar drejt një konsensusi të gjerë politik.

Duke folur për politikën e jashtme në përgjithësi, analistja politike shton se duket sikur partitë politike apo edhe krerët institucional përfaqësojnë shtete të ndryshme, e jo një shtet të vetëm.

“E kemi parë kur kryeministri Haradinaj ishte kundër ndërrimit të kufjive apo korrigjimit, ndërkohë që presidenti Thaçi e shtynte përpara. Të dy përfaqësonin shtetin e Kosovës me dy qëndrime të ndryshme”, theksoi ajo për KALLXO.com.