Kazinotë dhe Trafikantët në Shënjestër të Policisë

Kazinotë dhe rrjetet e trafikimit të njerëzve kanë qenë cak i policisë në 24 orët e fundit.

Në një konferencë për media, eprorë të lartë policorë kanë njoftuar për aksionet të cilat kanë rezultuar me arrestimin e 15 personave, konfiskimin e 72 aparateve të kazinove, 13 mijë eurove, dy armëve të zjarrit dhe 158 fishekëve.

Aksioni i parë, sipas policisë, kishte cak keqbërësit të cilët në mënyrë të kundërligjshme kanë organizuar lojëra të fatit.

“Në rajonin e Prishtinës dhe Pejës, në 8 lokacione janë arrestuar 8 persona si dhe janë kontrolluar lokalet e zhvillimit të këtyre veprimtarive të jashtëligjshme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Cak tjetër i policisë gjatë orëve të fundit ishte edhe dy grupe kriminale të cilët dyshohet se janë marrë me trafikim me qenie njerëzore.

Aksioni i cili është zhvilluar në rajonin e Mitrovicës Veriore ka rezultuar me arrestimin e shtatë personave e poashtu identifikimin e dy viktimave të trafikimit me njerëz.

Duke folur për viktimat e trafikimit me njerëz zëdhënësi i policisë Baki Kelani ka shprehur shqetësimin e Policisë së Kosovës për rritjen e numrit të viktimave të trafikimit brenda vendit.

“Të dhënat tregojnë se 90% e viktimave janë nga Kosova”, ka deklaruar Kelani.

Ai ka shtuar se policia është duke u marrë intenzivisht kundër kësaj dukurie.