KALLXO 360: Këngë Sakrale Shqiptare në ‘Remusica’

Hapësira e katedrales “Nënë Tereza” është mbushur me zërat e anëtarëve të korit të cilët kanë kënduar vepra muzikore të disa prej kolosëve shqiptarë dhe të huaj.

Hapjen e kësaj natë e bënë drejtoresha e festivalit “Remusica” Donika Rudi, dhe producenti i festivalit Viktor Berisha.

Mbrëmja filloi me muzikë sakrale shqiptare dhe me premierën e veprës “Te Deum” nga Niketë Dardani për të vazhduar me “Chorals” të Jan Kukuzeli dhe pjesë të “Antiphonarium” e viti 1532 nga Gjergj Danush Llapacaj.

Pa këtyre veprave u ekzekutuan vepra të Bjenamin Britten për të vazhduar me “Angus Dei” e Memli Kelmendi dhe “Deti i varreve të hapura” nga dirigjenti i korit Rafet Rudi.

Vepra kjo e cila është frymëzuar nga poezia e shkrimtarit Eqrem Basha dhe që flet për fatin e arbëreshëve gjatë udhëtimeve të tyre nëpër dete.

Mbrëmjen e mbyllen pjesët nga vepra Romancero Gitano e Mario Castelnuovo-Tedesco e cila gjithashtu është frymëzuar nga një poezi, ajo e Garsia Lorkës.

Dy veprat e fundi të cilat janë frymëzuar nga poezitë ishin edhe ajka e mbrëmjes pasi që zërave të korit ju bashkuan edhe tingujt e kitarës së Petrit Çekut që ishte edhe një risi për publikun.

Kaltrina Miftari (soprano), Liridon Sadriu (tenor), Safet Berisha (counter tenor), Adelina Paloja dhe Denik Prizreni (solistë) ishin zërat dominues të kësaj mbrëmje.

Festivali “Remusica” ka filluar më 6 maj dhe ka përfunduar me 31 maj me performancën e orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në sallën e kuqë të Pallatit të Rinisë.

KALLXO.com ka përcjellë me kamerën e teknologjisë më të lartë 360 këtë koncert.