Sot nis Festivali ‘ReMusica’

Me moton “The Sound Of Change” nis sot në Prishtinë, edicioni i 21-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, “ReMusica”.

Festivali hapet me koncertin e kuartetit të saksofonisteve nga Holanda “Syrene Saxophone Quartet”, që fillon në ora 20:00 në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.

Edicioni i sivjetëm i këtij festivali trajton temën e ndryshimeve klimatike dhe bën thirrje për ndërgjegjësim tek publiku për veprim klimatik. E gjithë kjo, sipas organizatorëve është reflektuar në programin e sivjetëm, me fokus në katër elementet e natyrës: toka, uji, ajri dhe zjarri.

Organizatorët e festivalit janë kujdesur që edhe këtë edicion të sjellin një program të pasur dhe emrat të njohur të muzikës së huaj dhe asaj shqiptare.

E veçantë e këtij edicioni të “ReMusica”-s do të jenë koncertet kushtuar klimës, por edhe solidarizim me luftën në Ukrainë.

“’ReMusica’, këtë vit solidarizohet me festivalet evropiane duke iu bashkuar iniciativës ‘Festivals for Compassion’. Vepra e kompozitorit ukrainas Maxim Shalygin e quajtur ‘Drop aftër drop’ e shkruar në këto muajt e fundi do të jetë pjesë e këtij Edicioni në natën përmbyllëse të ReMusicas dhe do ta sjellë në skenë kuarteti harkor ‘Viva String Quartet’, thuhet në njoftimin e “ReMusica”-së.

Masterklaset, punëtoritë, ‘ReMusica Junior’ do të jenë segmentet të cilat do të vazhdojnë sikundër vitet e kaluara.

Risi do të jetë organizimi i konferencës “Kultura dhe veprimi klimatik”.

Edicioni i sivjetëm i këtij festivali mbyllet më 13 prill 2022.