Festivali ‘ReMusica’. Foto: KALLXO.com.

Nis edicioni i 22-të i Festivalit ‘ReMusica’

Edicioni i 22-të i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës, “ReMusica”, ka nisur mbrëmë në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.

Festivali është hapur me koncertin bendit “Calefax Reed Quintet” i cili interpretoi vepra të kompozitorëve të njohur botëror.

Tematika e edicionit të sivjetëm është  “Inhale-exhale” (Merr frymë – lësho frymë), që synim ka vetëdijesimin për kujdesin mendor të njerëzve.

Për të krijuar lidhjen në mes të kësaj tematike dhe programit artistik, ky edicioni i “ReMusica”-s do të karakterizohet me prezantim të koncerteve të bendeve me instrumente frymore e muzikë vokale nga muzicientë të huaj dhe shqiptarë.

Shaban Behramaj, koordinator i festivalit, tha për KALLXO.com se tematika e edicionit të 22-të të “ReMusica”-s në fokus ka shëndetin mendor, me qëllim të vetëdijesimit të njerëzve për t`u marrë më shumë me vete dhe me shëndetin mendor, në raport me gjithë dinamikën e viteve të fundit.

“I gjithë programi i këtij edicioni është orientuar tek fryma, ajri, me moton ‘Inhell-exhell’, kështu që i gjithë programi është ndërtuar në atë formë ku të gjitha instrumentet që janë pjesëmarrëse këtë vit janë frymore, dhe muzikë vokale, pra një lidhshmëri mes programit artistik dhe tematikës së festivalit”- tha ai.

Sipas tij, problem mbetet mungesa e infrastrukturës për mbajtjen e festivaleve të tilla.

Edicioni i 22-të i Festivalit ‘ReMusica” që nisni mbrëmë më 3 maj do të zgjas deri më 25 maj, me shfaqjen e dhjetëra koncerteve, me pjesëmarrjen e mbi 200 artistëve që do të interpretojnë vepra të shumta të kompozitorëve ndërkombëtarë dhe shqiptarë dhe me 10 premiera botërore.

Do të ketë edhe diskutime gjithëpërfshirëse dhe biseda artistësh, seminare, masterklasa, instalacione dhe shfaqje unike ku muzika bashkohet me meditimin.

Programi i “ReMuzica’-s do të vazhdojë edhe sot me performancën e Ansambli Vokal të “ReMusica”-s.

Festivali ‘ReMusica’. Foto: KALLXO.com
Festivali ‘ReMusica’. Foto: KALLXO.com
Festivali ‘ReMusica’. Foto: KALLXO.com