Kadri Veseli Kritikon Arrestimin e Shtetasve Turq

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli në një posti në rrjetin social “Facebook”, e ka cilësuar si arbitrar vendimin për dëbimin e 6 shtetasve turq nga Kosova.

“Arrestimi i sotshëm i gjashtë shtetasve turk, banorë me leje të vlefshme qëndrimi në Kosovë dhe punonjës në Kolegjin Mehmet Akif të akredituar sipas standardeve përkatëse të Kosovës, nuk përfaqëson as formën e duhur të zhvillimit të sundimit të ligjit as konsolidimit të nevojshëm të demokracisë”, thuhet në postimin e Veselit.

Më tej në postimin e tij Veseli vlerëson se veprimi i tillë, pa respektim të procedurave dhe në mungesë të transparencës ngre dyshime për autoritetet që kanë zbatuar këtë vendim.

“Si shtet demokratik, Kosova në mënyrë institucionale duhet të adreson përgjegjësinë ligjore të akterëve të involvuar në këtë rast. Po ashtu, arrestimi i shtetasëe të huaj në flagrancë për dyshime të pabazuara, nuk korrespondon me vlerat evropiane që duhet t’i përfaqëson Kosova”, thuhet në postimin e Veselit.

Në fund të postimit të tij, Veseli shton se Kosova s’ka alternative tjetër veç rrugëtimit evropian.

“ Kjo, natyrisht, kërkon sundim të ligjit dhe llogaridhënie prej abuzuesve arbitrar të tij”, përfundon Veseli.

Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës njoftoi sot se ka revokuar lejet e qëndrimit të disa shtetasve turq.

KALLXO.com raportoi sot për arrestimin e disa punëtorëve të Kolegjit “Mehmet Akif”, dhe dëbimin e tyre nga Kosova.