Kadri Veseli kërkon 'të dëgjohet zëri' i atyre që kundërshtojnë versionin e Pal Lekajt për autostradën e Dukagjinit

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka thënë që shqetësimet e qytetarëve për trasenë e Autostradës së Dukagjinit, nuk duhet të lihen anash.

“Sot takova një grup të qytetarëve të Rahovecit, të cilët shprehën shqetësimet e tyre për trasenë e Autostradës së Dukagjinit. Zëri i tyre duhet dhe do të dëgjohet në mënyrë që projektet e mëdha të mos anashkalojnë asnjë qytet, si dhe të ruajnë vlerat e potencialet natyrore”, ka shkruar Veseli në facebook.

Autostrada e Dukagjinit, e cila pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 1 miliard euro, nuk është mirëpritur nga banorët e Rahovecit, me arsyetimin se dëmton lumin Drini i Bardhë dhe se pamundëson qasjen në autostradës të mbi 90% të fshatrave të Rahovecit.

Më fillim të muajit prill, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kishte aprovuar variantin final pikërisht në ditën kur banorët e Rahovecit mblodhën mbi 3 mijë nënshkrime duke kundërshtuar variantin 6-të apo variantin përgjatë lumit Drin.

Këshilli i banorëve të Rahovecit, i formuar për të kundërshtuar këtë autostradë vlerëson se ‘Variantit 1’, cili kalon ndërmjet qytetit të Rahovecit dhe fshatit Fortesë është më pak i dëmshëm edhe për tokat bujqësore dhe nuk dëmtohet lumi Drin.