LDK i "dorëzohet" AAK-së për Autostradën e Dukagjinit

Kabineti qeveritar i udhëhequr nga Avdullah Hoti e ka futur në buxhet për vitin 2021 projektimin e Autostradës së Dukagjinit, për të cilën kishin shprehur kundërshtime para dhe pas zgjedhjeve të tetorit.

Ky projekt është futur në buxhet me kërkesën e Ministrit të Infrastrukturës, Arban Abrashi i cili vjen nga LDK.

“Një projekt të cilin e kanë kontraktuar më herët dhe për të cilin ju duhen fonde shtesë edhe për të finalizuar vetë projektimin është ndërtimi i Autostradës se Dukagjinit: Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë”, tha Abrashi.

Por, kjo autostradë në tetor vitin 2019, është kritikuar nga vet Avdullah Hoti.

Hoti, kishte thënë se projekti për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit është i panevojshëm dhe nuk do të realizohet nga qeveria e ardhshme LDK dhe LVV.

Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme. Ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë sa i përket atij projekti. Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore. Çka do të bëjmë ne është se nga Istogu, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe deri në Prizren do të zgjerohet komplet rruga ekzistuese, do të bëhen rrugë me katër shirita, jo rrugë e izoluar, në magjistralen ekzistuese në mënyrë që mos të shpenzojmë qindra miliona në shpronësime të tokave dhe ai korridor nga Peja deri në Prizren, por në veçanti nga Gjakova deri në Prizren të jetë një korridor që zhvillohen komplet bizneset, një tip zone ekonomike”, kishte thënë Hoti më 30 tetor 2019.

Edhe në prill të vitit 2019, Hoti që mbante pozitën e shefit të Grupit Palrmanetar të LDK-së, kishte thënë në Kuvendin e Kosovës se kjo autostradë nuk ka fizibilitet.

“Kur kemi ardhur në qeveri është angazhduar BERZh-i për këtë projekt, dhe pas disa muajve punë ata kanë ardhur në konkludim që nuk ka fizibilitet për të ndërtuar autostradë nga Istogu, në Pejë, Deçan Gjakovë e deri në Prizren. Ajo çka kanë sugjeruar është ndërtimi i rrugëve tranzit që i eviton qytetet nëpër të cilat kalon kjo rrugë. Ai shtoi se BERZH ka sugjeruar edhe ndërtimin e rrethrrotullimeve në vendbanime dhe ndërtimi i përpjetave dhe tatëpjetave për t’i evituar kolonat në pikat që janë më problematike në atë zone”, kishte thënë Hoti.

Hoti në prill të vitit 2019 kishte bërë të ditur se kanë nënshkruar peticionin e nisur nga këshilli i qytetarëve të Rahovecit për Autostradën e Dukagjinit.

Hoti përmes Facebook-ut kishte thënë se peticioni përfshin qëndrimin e LDK-së se autostrada duhet të jetë në shërbim të qytetarëve.

Historiku i Autostradës së Dukagjinit

Sa ishte në qeverisje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) kishte nisur projektin për ndërtimin e një Autostrade që kalonte nëpër regjionin e ‘Dukagjinit.

Ndërtimi i kësaj Autostrade ka ardhur nga Qeveria e Ramush Haradinajt. Haradinaj i cili është kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, votat kryesore i ka në komunat e Dukagjinit: Deçan, Pejë, Gjakovë dhe Istog. Kjo Autostradë do të kalojë nëpër këto komuna.

Në ministrin e Infrastrukturës të udhëhequr nga Pal Lekaj thonin se kosto totale pritet të shkojë në 1 miliard euro pa dhënë asnjë sqarim pse është paraparë një kosto kaq e lartë e shpronësimeve.

Por, me një autostradë të tillë nuk ishte pajtuar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). Madje, partia e Isa Mustafës kishte deklaruar se qeverisa ndërmjet Vetëvendosjes dhe LDK-së do të ndalonte projektin e ish-ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj.

Pas rrëzimit të qeverisë Kurti, LDK ka nisur diskutimet me partinë e Ramush Haradinajt për formimin ekzekutivit të ri kosovar.

AAK në një letër e cila mban nënshkrimin e shefit të saj kishte vënë kusht lidhjen e koalicionit për qeverisjen e re edhe ndërtimin e autostradës së ‘Dukagjinit’.

Qeveria nis planifikimet për autostradën 1 miliard euroshe të Dukagjinit në kohën e grevave të shumta në sektorin publik

Por, në lidhje me këtë, letër të AAK-së, Isa Mustafa kishte deklaruar se autostradat nuk do të jenë pjesë e agjendës qeveritare, të paktën brenda këtij viti (2020).

“Sa i përket autostradës, nuk shoh asnjë mundësi që sivjet do të merremi me autostradë këtë vit. Ky vit do të jetë vit që, ndoshta të gjitha mjetet që i kemi destinuar ne për investime kapitale, duhet të kthehen në rimëkëmbje ekonomike edhe në shërbim të shëndetësisë, çka bëhet më vonë është çështje që duhet të diskutohet me AKK-së dhe të tjerët sesi do ta gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe të arsyeshme për gjitha projektet në të mirë të Kosovës”, kishte deklaruar Mustafa.

Kundërshtim për Autostradën e Dukagjinit kishin shprehur gjatë fushatës zgjedhore edhe disa kandidat për deputetë të tjerë të LDK-së.

Kandidatja e LDK-së kundër Autostradës së Dukagjinit

Pak ditë pasi ishte themeluar qeveria e koalicionit LVV-LDK e drejtuar nga Albin Kurti, ministri i Infrastrukturës Lumir Abdixhiku i cili vinte nga LDK kishte thënë se në vend të ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, kanë në plan vetëm zgjerimin e rrugës rajonale Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.

“Tashmë është e qartë se prioritet i qeverisë tonë është çdo autostradë në vend, ne kemi në plan që të ndërtohet me kredi të jashtme, por përveç kësaj ne kemi plane të tjera për Dukagjinin dhe qytetarët në Kosovë. Në vend të ndërtimit të një autostrade të tillë do bëjmë zgjerimin e rrugës dhe mjetet në fjalë t`i alokojmë në projekte infrastrukturore të tjera jo vetëm në Dukagjin, dhe të lirojmë buxhetin që këto mjete të shkojnë në aftësim dhe shëndetësi”, tha ministri.

“Ky projekt ka qenë pjesë e fushatës, qytetarët kanë votuar dhe dy partitë kanë pasur ide të njëjta për të”, tha shtoi ai.

KALLXO.com kishte punlikuar edhe një opinion lidhur me Autostradën ku thuhet se në programin e Qeverisë Hoti parashihet mobilizimi i 1.2 miliard eurove për vitet 2020-2021 me qëllim të adresimit të sfidave ekonomike të shkaktuara nga pandemia. Por në të njejtën kohë parashihet edhe ndërtimi i autostradës së Dukagjinit, autostadës së Anamoravës, përfundimin e punimeve në autostradën e Mitrovicës dhe vazhdimin e autostradës në drejtim të Podujevës.

Në këtë shkrim thuhet se Autostrada e Dukagjinit me gjatësi 91 kilometra pritet të kushtojë së paku 1 miliard euro, prej të cilave 560 milionë euro për kryerjen e punimeve dhe pjesa tjetër për shpronësim të 40% të segmentit të autostradës e cila bie në prona private.

Qeveria Hoti, me trurin e Haradinajt