Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Autostrada që nuk po ‘pajton’ Ministrinë me Rahovecin

Autostrada e Dukagjinit, e cila pritet t’i kushtojë buxhetit të Kosovës rreth 1 miliard euro, nuk është mirëpritur nga banorët e Rahovecit, me arsyetimin se dëmton lumin Drini i Bardhë dhe se pamundëson qasjen në autostradës të mbi 90% të fshatrave të Rahovecit.

Më fillim të muajit prill, Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit kishte aprovuar variantin final pikërisht në ditën kur banorët e Rahovecit mblodhën mbi 3 mijë nënshkrime duke kundërshtuar variantin 6-të apo variantin përgjatë lumit Drin.

Këshilli i banorëve të Rahovecit, i formuar për të kundërshtuar këtë autostradë vlerëson se ‘Variantit 1’, cili kalon ndërmjet qytetit të Rahovecit dhe fshatit Fortesë është më pak i dëmshëm edhe për tokat bujqësore dhe nuk dëmtohet lumi Drin.

Mirëpo, në një bisedë për KALLXO.com, Fillojetë Konjuhi nga kabineti i ministrit të Infrastrukturës, Pal Lekaj, thotë së kjo Ministri ka shqyrtuar të gjitha mundësitë që të mos dëmtohen tokat bujqësore dhe siguron se lumi i Drinit të Bardhë nuk do të dëmtohet.

Sipas saj, kjo Ministri e ka vlerësuar se varianti përgjatë këtij lumi është më i favorshëm për Rahovecin.

“Gjatë hartimit të varianteve ideore, përveç kritereve teknike që dalin nga detyra projektuese, ne kemi marrë parasysh edhe këto kritere dhe analiza profesionale si: 1. Shpronësimi, (janë marrë për bazë të shpronësohen sa më pak toka bujqësore) 2. Faktori ekonomik, (të jetë me kosto ekonomikisht më i favorshëm), 3. Topografia e terrenit, (janë marrë parasysh gërmimet, mbushjet, urat, tunelet, nënkalime, mbikalimet, viadukte) 4. Gjeologjia dhe hidrologjia, (është marrë parasysh stabiliteti i truallit dhe trajtimi i rrjedhjes ujore), 5. Faktori ekologjik (ndikimet minimale në mjedis, trajtimi i ujërave sipërfaqësore nga rruga flora dhe fauna)”, ka thënë Konjuhi.

Në këtë variant që kalon nga fshatrat Fortesë, Xërxë, Celinë, Krushë e Madhe dhe Krushë e Vogël përgjatë lumit, Ministria thotë së do të rregullojnë edhe shtratin e Drinit.

“Mbi bazën e këtyre analizave në konsultim me ekspertët relevant, është përzgjedhur varianti paralel me lumin Drini i Bardhë për të vazhduar me hartimin e projektit detal, si rezultat i këtyre përparësive krahasuar me variantet tjera, si: 1. Rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë, 2. Parandalimi i degradimit të lumit Drini i Bardhë, 3. Shpronësim minimal i tokave bujqësore dhe tokave private 4. Aksi i autostradës kalon më shumë se 70% mbi sipërfaqet të degraduar të tokave bujqësore rreth lumit, 5. Nuk do të ketë as një parcelë të ndarë në dy pjesë”, është thënë në sqarimin e MIT-së për KALLXO.com

Gjithashtu, Konjuhi ka thënë së nga vlerësimet e fundit kanë rezultuar se varianti përgjatë lumit Drin, është më i pak i kushtueshëm për shkak të shpronësimit të pronave.

Sipas të dhënave të siguruara nga KALLXO.com nga MIT, në variantin final gjatësia e autostradës përgjatë komunës së Rahovecit është 26.5 km, sipërfaqet të cilat duhet të shpronësohen janë 40 ha, ndërsa sa i përket sipërfaqeve me pemishte apo vreshtari të cilat dëmtohen apo shpronësohen ka rezultuar me 0. Dhe për dallim nga varianti i parë që ishte 1 në këtë variant do të jenë 2 kyçje në autostradë.

Në variantin paraprak, gjatësia e autostradës parashihej 27,2 km, sipërfaqet të cilat duhej të shpronësoheshin në këtë komune ishte 136 ha, dhe sipërfaqet me pemishte apo vreshtari të cilat dëmtohen apo shpronësohen ishte 27 ha.

Tutje, MIT ka ritheksuar se kosto e ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit do të jetë rreth 600 milionë euro, ndërsa do të shpronësohen rreth 623 hektarë, prej të cilave sipas tyre jo të gjitha janë private.

Më 3 prill, banorët e komunës së Rahovecit kanë arritur të mbledhin mbi 3.000 nënshkrime për dy ditë, për të kundërshtuar variantin 6 të ndërtimit të “Autostradës së Dukagjinit”.

Kundër këtij varianti është shprehur edhe partitë opozitare në vend.

Të martën, shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka takuar një përfaqësi të qytetarëve të Rahovecit, që po e kundërshtojnë trasenë e Autostradës së Dukagjinit.

Hoti siç ka bërë të ditur në rrjetin social ‘Facebook’ ka thënë se kundërshtimi i tyre bazohet në faktin se me trasenë e paraparë përgjatë Drinit të Bardhë, qasja në Autostradë për shumicën e vendbanimeve të Rahovecit do të jetë 25 deri 30 kilometra.

Gjithashtu, deputeti i LDK-së tha se propozimi i qytetarëve është që të ndiqet varianti i trasesë afër fshatit Gexhë, pastaj afër fshatit Sopniq, në mes të Fortesës dhe Bërnjakës, dhe kodrave përgjatë fshatrave Celinë, Krushë e Madhe, Krushë e Vogël, Piranë, Landovicë dhe lidhet me autostradën për Shqipëri në nyjën në veri të Prizrenit.

Ndërsa të mërkurën, përkrah banorëve të Rahovecit është shprehur edhe Lëvizja Vetëvendosje.

Deputeti i VV-së Liburn Aliu, në një konferencë për media ka vlerësuar se këtë shumë prej një miliard eurosh do të ishte më mirë që të investohej në zhvillim ekonomik.

“Qytetarët e Rahovecit prej javësh po e kundërshtojnë mënyrën se si është vendosur traseja e autostradës pa i pyetur dhe duke i anashkaluar nevojat e tyre. Peticioni i nisur prej tyre i ka kaluar 5.000 nënshkrime për të mbrojtur tokat bujqësore nën ujitje dhe komasacion nga një mur i pakalueshëm i cili u bllokon qasjen jetike në Drinin e Bardhë. Pas takimeve dhe sqarimeve me ta Lëvizja e bashkëndan shqetësimin, seriozitetin dhe brengën e tyre”, ka thënë ai.

Vlen të përmendet se kjo autostradë pritet të lidhë këto qytetet: Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë dhe Prizren, me një gjatësi prej 91 kilometra.

Ministria e Infrastrukturës në gusht ka nënshkruar kontratën për “Hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e autostradës Istog– Prizren” për të cilën ministri Lekaj e konsideron si projektin “më gjigant të Qeverisë”, dhe pritet që të fillojë këtë vit.

Projektin për këtë autostradë do të hartojë konzorciumi “Infra Plus & Infra Tek”, për një kosto prej 1 milion e 39 mijë euro.

10 Prill 2019 - 23:16

Xheneta Murtezaj 10/04/2019 - 23:16
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend