Ilustrimi: Trembelat për KALLXO.com

Autostrada e Dukagjinit nuk është veç ide, u shpenzuan mbi 1.5 milionë euro

Projekti i ish- kryeministrit Ramush Haradinaj për ndërtimin e Autostradës së Dukagjinit tashmë nuk është vetëm një ide projekti.

Jetësimi i këtij projekti ka filluar qysh në mars të vitit 2018, kur Ministria e Infrastrukturës e udhëhequr nga Pal Lekaj i AAK-së kishte nënshkruar kontratë për “Hartimin e Projektit zbatues për ndërtimin e autostradës: Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren 91km”.

Kontrata për këtë projekt kishte qenë 1 milion e 39 mijë euro dhe ishte fituar nga grupi i operatorëve “Infra Plus” dhe “Infratek”.

1 vit e gjysmë më vonë, në shtator të 2019, kur Pal Lekaj ishte ministër në detyrë i Infrastrukturës, ishte nënshkruar edhe një aneks kontratë për punë shtesë në lidhje me hartimin e projektit.

Në shtator të 2019, u nënshkrua aneks kontrata me vlerë prej 102 mijë e 834 euro me operatorët e njëjtë.

1 vit më vonë, në shtator të 2020, filloi implementimi i një projekti tjetër që lidhet me autostradën e Dukagjinit.

Ministria e Infrastrukturës hapi tender për “Hartimin e projektit zbatues për ndërtimin e shtratit të lumit”.

Ky projekt ka të bëjë me shtratin e lumit “Drini i Bardhë”, pasi që projekti e parasheh që një pjesë e kësaj autostrade të kalojë përreth lumit Drini i Bardhë.

Kontrata është dhënë më 22 shtator të këtij viti, derisa ende nuk është publikuar njoftimi për nënshkrimin e kësaj kontrate.

Çmimi i këtij tenderi kap shifrën e 415 mijë eurove dhe fitues janë dy kompani. Njëra nga kompanitë është e njëjta me atë që kishte fituar kontratën për hartimin e projektit të autostradës. Kompania “Infra Plus” ishte shpallur fituese edhe në projektin për hartimin e parë mbi 1 milionësh.

Në projektin për shtratin e lumit Drin, fitues ka dalë grupi i operatorëve “Infra-Plus” dhe “ALB – Architect”.

Nga këto 3 kontrata, ku njëra nga to është aneks kontratë, shpenzimi i Qeverisë për projektin e autostradës së Dukagjinit kap shifrën e mbi 1.5 milionë eurove.

Nga Ministria e Infrastrukturës e kanë konfirmuar se kjo kontratë është në fazën përfundimtare të zbatimit.

“Kontrata është në fazën përfundimtare sa i përket projektit zbatues, mirëpo krahas projektit zbatues, duhet të punohet edhe elaborati i shpronësimit i cili ka pasur vonesa për shkak se shumica e Komunave nëpër të cilat kalon trasea ende nuk e kanë kompletuar dokumentacionin kadastral i cili është i nevojshëm për punimin e elaboratit të shpronësimit. Operatori ekonomik është brenda planit dinamik të paraparë me kontratë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Kjo ministri ka konfirmuar poashtu se deri më tani ndaj operatorit ekonomik është kryer pagesë më vlerë gati 1 milionë euro.

“Deri më tani MI-ja operatorit ekonomik i ka kryer pagesa në vlerë prej 953,095.44 Euro (të gjitha faturat të cilat janë dorëzuar nga menaxheri i projektit)”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Një pjesë e autostradës së Dukagjinit pritet që të kalojë afër lumit Drini i Bardhë dhe kjo i ka nxjerrë shpenzime të tjera në projekt.

“Duke marrë parasysh se një pjesë e trasesë kalon afër lumit Drini i Bardhë, është shfaqur nevoja që të trajtohet shtrati i lumit”, thuhet në përgjigjen e ministrisë.

Në projektligjin për buxhetin e vitit 2021, që tashmë është miratuar në Qeverinë e Kosovës dhe pritet që të votohet në Kuvend, janë ndarë 200 mijë euro për projektin e autostradës së shumë përfolur. Në projektbuxhet thuhet se do të ndahen 200 mijë euro “për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit”

Qeveria Hoti, ndonëse në të kaluarën ishte kategorikisht kundër projektit të ndërtimit të autostradës së Dukagjinit, investimet në projekt po vazhdojnë edhe në qeverisjen e saj.

Në projektbuxhetin e vitit 2021, që pritet të votohet në Kuvendin e Kosovës figuron edhe investimi në autostradën e Dukagjinit, projekt ky për të cilin u diskutua jashtëzakonisht shumë, kur u prezantua nga zyrtarët e AAK-së.

Në projektin buxhetin e këtij viti, Ministria e Infrastrukturës që udhëhiqet nga Arban Abrashi ka ndarë 200 mijë euro për vitin 2021 për ndërtimin e kësaj autostrade.

Në ditën që u miratua projektbuxheti i vitit 2021, KALLXO.com pyeti kryeministrin se për çfarë punësh në autostradë janë ndarë mjetet financiare.

“Për autostradën e Dukagjinit ka obligime, është një kontratë që vazhdon, tash është faza e dytë e projektimit që e ka prezentu ministri Abrashi”, ishte shprehur kryeministri Hoti.

Ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi gjatë fushatës zgjedhore të 2019, kur ishte pyetur nga KALLXO.com, nëse është pro apo kundër ndërtimit të autostradës kishte deklaruar se duhet parë projekti, para se të jepte qëndrimin.

Duhem me pa projektin njëherë”, ishte shprehur Abrashi në atë kohë.

Sipas një studimi nga Instituti Riinvest, çmimi mesatar i ndërtimit të një kilometri të autostradës në Kosovë është 11.5 milionë euro. Në Gjermani, një kilometër autostradë ka kushtuar me një çmim mesatar prej 8.2 milionë eurosh. Në vende të Ballkanit, sikurse është rasti i Kroacisë, ndërtimi i tyre ka një çmim prej vetëm 6.7 milionë euro për një kilometër.

Autostrada 60 kilometërshe nga Prishtina në Han të Elezit, e që pastaj lidhet me kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut ka kushtuar më shumë se 800 milionë euro.

Kjo kontratë asnjëherë nuk ka qenë e qasshme për publikun.

Gjatë kohës sa ishte në opozitë, Avdullah Hoti kishte kritikuar idenë e AAK-së për ndërtimin e autostradës, duke e quajtur të panevojshme.

“Është komplet i panevojshëm. Është një projekt që nuk do te realizohet nga qeveria e ardhshme. Ne e kemi të qartë çfarë duhet të bëjmë sa i përket atij projekti. Nuk e kemi komoditetin e as s’është e nevojshme që të ndërtojmë autostradë në ato toka bujqësore”, ishte shprehur Hoti në një intervistë për Kohavision, në tetor të vitit 2019.

Derisa kanë nisur procedurat për ndërtimin e kësaj autostrade dhe shpenzimet në fillimet e projektit, në këto qytete, të cilat do të lidhen nga autostrada kanë probleme të tjerë madhore.

Një hulumtim i BIRN kishte gjetur se mbi 70 fshatra në Dukagjin (Pejë, Deçan e Gjakovë), nuk kanë ujësjellës, përderisa, pothuajse një pjesë e madhe e fshatrave është në rrezik nga epidemitë për shkak të mungesës së sistemit të kanalizimit.

“A hahet asfalti”?