Pal Lekaj - Foto: Facebook/PalLekaj

Pal Lekaj i bindur: Autostrada e Dukagjinit duhet dhe do të bëhet

Formimi i mundshëm i një koalicioni qeverisës mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka ndezur dritën e gjelbër për këta të fundit që ta jetësojnë projektin rreth 1 miliardësh për ndërtimin e autostradës së ashtuquajtur “e Dukagjinit”.

Ndonëse, ministri në detyrë nga radhët e LDK-së, dy muaj më parë kishte prezantuar planin që sipas të cilës në vend të ndërtimit të autostradës, do të bëhet vetëm zgjerimi i rrugës Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.

Por ish-ministri i Infrastrukturës nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj në një prononcim për KALLXO.com ka thënë se nuk kanë hequr dorë nga ky projekt, e që për këtë thotë, se ia kanë bërë me dije edhe LDK-së.

Sipas tij, ndërtimi i këtij projekti është jetike dhe domethënës për 30 për qind të territorit dhe ekonomisë së Kosovës, por që thotë se në këtë situatë pandemike nuk do të insistojnë që të lëvizen mjetet në këtë vit buxhetor.

“Është e vërtetë që si parti e kemi patur premtim fillimin e ndërtimit të Autostradës së Dukagjinit, projektimi i secilës tashme është dashtë të përfundojë. Por poashtu është e vërtetë se pandemia i ka ndryshuar pak sa prioritetet edhe tonat si pjesë e Qeverisë që pritet të formohet”, the Lekaj.

“Ne ua kemi bërë me dije edhe LDK-së si e mandatuar për të udhëhequr qeverinë e re të Kosovës se nuk do të hjekim dorë nga materializimi i këtij projekti gjigand e domethënës për 30% të territorit dhe ekonomisë së vendit tonë, e cila është jetike që të lidhet me pjesën tjetër të vendit tonë por edhe me rajonin dhe korridoret Evropiane, por në të njëjtën kohë, nuk do të insistojmë që të lëvizim mjete nga kodet buxhetore për situatën e pandemisë, në ketë vit buxhetor”, shtoi tutje ai.

Lekaj është shprehur optimist dhe i bindur se ky projekt duhet dhe do të ndodhë.

“Konsiderojmë që nuk është projekt që duhet të ndikojë negativisht në disponimin e bashkëqeverisjes. Nuk po bëhet fjalë për ndonjë projekt dytsorë a tretsor ose periferik. Ky projekt duhet dhe do të ndodhë, por ne po themi që e kuptojmë situatën me pandeminë dhe si e tillë ne do të jemi të kujdesshëm që t’i jepim prioritet zhvillimeve në qëndrueshmërinë ekonomike të vendit post-pandemi, infuzionit financiar që duhet t’i jepen ekonomisë se vendit për të tejkaluar ngërçin që ka krijuar izolimi dhe mbyllja e bizneseve”, tha ai.

Ndërkaq sa i përket planit të LDK-së vetëm për zgjerimin e rrugës ekzistuese, ai thotë se nga kjo nënkupton shpronësime dyshifsh më të mëdha dhe që nuk është zgjidhje.

“Autostrada e Dukagjinit nuk është se duhet të ndërtohet sa për të lidhur, ta zëmë, Pejën me Deçanin, por është projekt i cili do të lidhë Dukagjinin me korridoret që Kosovën e nxjerrin në Rajon dhe Evropë. Ju lutem zgjerimi i rrugës ekzistuese nënkupton shpronësime dyfish me të mëdhaja sepse kjo rrugë hynë në mes të secilit qytet, duke filluar nga Istogu e deri në Autostradën R7, “Ibrahim Rugova” dhe po ashtu nuk e zgjidhë problemin e qarkullimit pa rreziqe, sepse ju e dini që e njëjta mbanë në qarkullim shumë mjete bujqësore, dhe në një projekt ku t’i lejon një shpejtësi 120 kmh, këto automjete bujqësore veçse e rrezikojnë veten dhe pjesëmarrësit tjerë në komunikacion. Pra me gjithë respektin për propozimin e Ministrit n’detyrë, nuk është zgjidhje zgjerimi i rrugës ekzistuese”, tha ai.

“Rruga nacionale është rehabilituar gjatë kohës sa kemi qenë ne dhe ajo gjithnjë do t’iu shërbej lidhjeve të shkurta të banorëve të atyre vendbanimeve dhe qarkullimit bujqësorë të tyre, por Autostrada e Dukagjinit ia hapë dyert e eksportimit të krejt kapaciteteve të agroturizmit dhe prodhimeve të saj për eksport në rajon dhe Evropë. Bëhet fjalë për ekonominë dhe vendet e punës për 30% të popullsisë së Kosovës”, shtoi më tej ish-ministri Lekaj.

Më tej ai theksoi se buxheti i miratuar nga Qeveria Kurti, ka bërë që shume projekte, kapitale dhe të cilat, sipas tij do te gjeneronin shumë vende pune, i kanë ulur po thuajse të gjitha.

“E kemi edhe pjesën e dytë të Autostradës së Gjilanit (Anamoravës), poashtu, Deçan – Plavë, e qëndren e Deçanit që është edhe rrugë nacionale e vendit, nuk e dijmë rrugën A, në Prishtinë, të cilën e kemi lënë kompakte në tërësinë e saj, e kështu më radhë ka edhe disa projekte të tjera që janë me rëndësi për zhvillimin ekonomik të vendit”, u shpreh Lekaj për KALLXO.com

KALLXO.com ka provuar të marrë përgjigje edhe nga mandatari i LDK-së Avdullah Hoti dhe nga ministri në detyrë i Infrastrukturës dhë Ambientit, Lumir Abdixhiku, por që deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk janë përgjigjur. Kujtojmë se mandatari i LDK-së, Avdullah Hoti kishte deklaruar në fund të muajit tetor të 2019-es se projekti për ndërtimin e autostradës së Dukagjinit është i panevojshëm dhe nuk do të realizohet nga qeveria e ardhshme.

Në anën tjetër, AAK në anë të një letër e cila mban nënshkrimin e shefit të saj ka vënë kusht lidhjen e koalicionit për qeverisjen e re edhe ndërtimin e autostradës së Dukagjinit’.

“Rishikimin e Buxhetit të Republikës së Kosovës në mënyrë që të korrigjohen gabimet serioze në ndarjen selektive buxhetore dhe përfshirjen e kodit për investime kapitale me theks për Autostradën e Anomoravës dhe Dukagjinit dhe përshpejtimin e punimeve në pjesën e mbetur të autostradës Prishtinë-Pejë, në segmentin Kijevë-Zahaq”, thuhet në letrën e kryetarit të AAK-së, i cili përmend kushtet për përkrahjen e qeverisë të cilës pritet të prij LDK.

E që për këtë deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli ka kritikuar duke thënë se këto janë “prioritetet e asfaltit në kohë të pandemisë”.