K1: Ia Shpëtova Jetën Kelmendit

“[Zijad] Turkoviqi ka provuar që ta vrasë 3 herë, unë ia kam shpëtuar jetën Naser Kelmendit në një dasmë në Avaz dhe kam parandaluar incidentin, sepse do të vriteshin 100 persona,” tha K1.

Zijad Turkoviq vitin e kaluar është dënuar në Bosnjë me 40 vjet burg si udhëheqës i një grupi kriminal.

Fjalët për shpëtimin e jetës së Kelmendit dëshmitari K1 i tha duke iu përgjigjur pyetjeve të Besnik Berishës, avokatit të Naser Kelmendit.

Dëshmitari nga Bosnja i  koduar si K1 ka vazhduar të jep dëshminë e tij para gjykata,për dallim nga seancat e kaluara ai tash është pyetur nga avokati Besnik Berisha  mbrojtës i Naser Kelmendit.

Berisha gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit u mundua që duke e ballafaquar atë me deklarimet që ka dhënë në gjykimin e Zijad Turkoviqit të ndikojë që deklarimet e tij të mos merren parasysh.

Avokati i kërkoi sqarime dëshmitarit se pse në gjykimin e Turkoviqit K1 kishte thënë se nuk e njeh Kelmendin.

“Nuk e kam përmendur Kelmendin sepse prokurorët boshnjakë më kanë bërë presion që të mos e  përmend Kelmendin dhe Fahrudin Radonçiqin. Ata më kanë thënë se nuk bën në asnjë mënyrë të përmenden Naseri dhe Fahrudini. Këta dy  e kanë udhëhequr prokurorinë edhe gjyqësinë, i kanë paguar ata,” ishte përgjigjja e dëshmitarit.

Berisha më pas i kërkoi sqarime dëshmitarit se pse në Kosovë po thotë që me Kelmendin ka punuar që nga mosha 17 vjeçare, duke pyetur se a është kjo e vërtetë.

“Po është e vërtetë,” u përgjigj dëshmitari.

Duke krahasuar dëshmitë në Bosnjë e Kosovë për Kelmendin, avokati Berisha e pyeti të koduarin me shifrën K1 a është dëshmia juaj bardh e zi?

“Atëherë kam dëshmuar për Zijad Turkoviqin dhe jo kundër Naser Kelmendit. Për Zijadin e kam thënë të vërtetën dhe atëherë kam dëshmuar çka kam dashur. [Këtu] po e them të vërtetën për Kelmendin dhe për të gjithë personat e tij,” tha dëshmitari K1.

Ai pastaj e cilësoi Kelmendin njeriun kryesor të drogës në Ballkan, duke pranuar se ka përpunuar drogën në shumë vende në Kosovë e sidomos në Pejë.

Objektet ku është bërë përpunimi i drogës K1 tha se janë shkatërruar, ose ndryshuar për të humbur gjurmët.

Avokati Berisha kundërshtoi fjalët e dëshmitarit për këto objekte, duke thënë se jeton në atë zonë, ndërsa nuk ka parë objektet për të cilat fliste dëshmitari.

Dëshmitari pastaj tregoi se me Naser Kelmendin, djemtë e tij dhe Zijad Turkoviqin ka qëndruar një muaj në burg.

K1 dëshmoi edhe në dy seancat e kaluara të këtij gjykimi.

http://kallxo.com/k1-prokuroret-ne-bosnje-te-lidhur-krimin/

http://kallxo.com/deshmitari-pronat-e-kelmendit-nga-dubai-ne-rusi/

Ky dëshmitar në gjykimin e Kelmendit dëshmoi edhe në mars.

http://kallxo.com/k1-delaliq-nuk-donte-droge-ne-sarajeve/

Naser Kelmendi akuzohet për vrasje të rëndë, për krim të organizuar, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike dhe prodhim e përpunim të paautorizuar të narkotikëve të rrezikshëm dhe substancave psikotropike.

Ai krahas shtetësisë kosovare e ka edhe atë boshnjake, ndërsa u arrestua nga Policia e Kosovës në majin e 2013-ës, pasi u kërkua me fletarrest ndërkombëtar nga Bosnja.

Pasi Bosnja e Kosova nuk kanë marrëdhënie diplomatike dhe as marrëveshje ekstradimi, Kelmendi është duke u gjykuar në Kosovë, por ai ka akuzë edhe në Bosnjë.

Në Bosnjë Kelmendi akuzohet për krim të organizuar, vrasje të mbetur në tentativë dhe për shitje e shpërndarje të substancave narkotike në Amerikën Latine, Turqi, Serbi, Kroaci dhe shtetet tjera të Evropës Perëndimore.

Kur iu lexua aktakuza më 16 janar, Kelmendi u deklarua i pafajshëm, ndërsa e cilësoi  aktakuzën një prodhim nga Bosnja.