Jahjaga Paralajmëron Vazhdimin

Në një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook Jahjaga u përshëndet me qytetarët pas përfundimit të mandatit në krye të Presidentes

“Ka qenë nder dhe privilegj të jem Presidentja juaj. Ju përkulem përjetësisht! Ju faleminderit!” shkroi Jahjaga.

Ajo paralajmëroi vazhdimin.

“Udhëtimi ynë nuk ndalet këtu. Bashkë do ta bëjmë Kosovën,” përfundoi postimi i Jahjagës.

Edhe analistët politikë kur folën dje për KALLXO.com shprehën bindjen se Jahjaga nuk do të tërhiqet nga jeta publike.

“Duke e pasur parasysh mbështetjen e fuqishme ndërkombëtare, sidomos amerikane, gjasat janë që ajo në të ardhmen ta përfaqësojë Kosovën jashtë. Deri atëherë, në cilësinë e ish-Presidentes, me siguri do të merret me ndonjë aktivitet publik,” tha analisti Imer Mushkolaj.

Fjalë të ngjashme foli edhe Dren Ajeti nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike.

“Historia e pasluftës na ka mësuar se politikanët që kanë ushtruar funksione publike vështirë se pranojnë të largohen lehtë nga skena politike. Kështu sipas të gjitha gjasave do të veprojë edhe Jahjaga, e cila gjatë gjithë mandatit të saj ka gëzuar përkrahjen më të madhe të ambasadave të huaja në Kosovë,” tha Ajeti.