Jahjaga: Gratë- Kategoria më e Varfër e Shoqërisë Tonë

Ish-Presidentja Atifete Jahjaga tha se gratë janë kategoria më e varfër e shoqërisë, ndërsa kërkoi fuqizimin e tyre.

Ish-Presidentja Atifete Jahjaga vlerësoi procesin e kodifikimit të legjislacionin civil si një proces të rëndësishme që do të ndihmojë fuqizimin e grave në shoqërinë kosovare.

Në një konferencë te organizuar nga Grupi Punues i Hartimit të Kodit Civil, po marrin pjesë ish-Presidentja Jahjaga, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe përfaqesues te shoqërisë civile.

Në fjalën e saj hyrëse, Jahjaga deklaroi se gratë në Kosovë mbesin kategoria më e varfër e shoqërisë.

“Gratë dhe vajzat ende përfaqësojnë kategorinë më të varfër të shoqërisë sonë”, tha ish-Presidentja Jahjaga.

Më tej, ajo vlerësoi kodifikimin e të drejtës civile në Kosovë, duke shtuar se ky proces duhet të ketë në fokus fuqizimin e grave në Kosovë.

“Ky proces duhet të ketë në fokus të veçantë të fuqizimit të të drejtave të grave në trashëgimi e në pronë”, shtoi Jahjaga.

Ndërsa ministri Tahiri vuri në pah problemet në praktikën gjyqësore në lidhje me trashëgiminë në prone te grave në Kosovë.

“Praktika gjyqësore ka treguar se më së shpeshti janë gratë ato që hjekin dorë nga trashëgimia në pronë. Dua të mbështes nevojën e fuqizimit të të drejtave pronësore të gruas në pajtim me legjislacionin në Kosovë”, tha ministri Tahiri.

KALLXO.com ka shkruar shpesh për heqjen dorë të grave nga trashëgimia.