Islami: Kufijtë e Kosovës si në Flamur

Komisioni i ekspertëve për matjen e territorit të Kosovës në draft-raportin e paraqitur sot tha se Çakorri e Bjelluha nuk i kanë takuar kurrë Kosovës.

Ekspertët e komisionit thanë se nuk kanë gjetur shkelje në punën paraprake të Komisionit Shtetëror për Shënjimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi .

Hivzi Islami, kryetari i Komisionit për Matjen e Territorit, i formuar në janar të këtij viti nga Kryeministri Mustafa, tha se puna e komisionit ka qenë larg ndikimeve politike e partiake dhe se ka dominuar profesionalizimi.

“Hartat e KFOR-it që tregojnë linjën kufitare Kosovë-Mal i Zi, janë të njëjta me ato që na u dorëzuan nga komisioni shtetëror”, tha ai.

Islami më tutje deklaroi se kufijtë e përcaktuar me Malin e Zi janë të njëjtë si ata në hartën e vendosur në flamurin e Kosovës

“Kufijtë janë shënjuar sipas planit të Ahtisarit dhe këta kufij shihen edhe në flamurin e Kosovës,  po të ishte ndryshe do të duhej përcaktuar tjetër flamur”, tha ai.

Ndërsa zëdhënësi dhe anëtari i Komisionit për Matjen e Territorit Tomor Çela paraqiti një varg hartash e librash që sipas tij vërtetojnë se vija kufitare me malin e Zi, e përcaktuar me marrëveshjen e 26 gushtit 2015 është e saktë .

“Profesor Qazim Lleshi në hartën e tij botuar në numrin 6 nga Fakulteti i Shkencave Matematikore në 1979-80, një hartë që tregon se Çakorri dhe Bjelluha janë jashtë territorit të Kosovës”, tha ai.

Territori i Kosovës, sipas komisionit, doli të ketë 10,905.25 kilometra katrorë.

Sipas anëtarëve të komisionit, vërejtje dhe propozime në lidhje me draft-raportin mund të bëhen nga sot deri më 24 shkurt.