Ferid Agani në Gjykatë - Foto: KALLXO.com

Ish-ministri i Shëndetësisë: Marrëveshjet me spitalet private ishin të ligjshme

Në gjykimin ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarit të së njëjtës Ministri, Gani Shabani, të akuzuar në rastin e njohur si “Stentat“, shqyrtimi gjyqësor ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Agani.

Gjatë dhënies së mbrojtjes, Ferid Agani deklaroi se lidhur me trajtimin e pacientëve jashtë vendit ai i ka nënshkruar shkresat të cilat i kanë ardhur nga kabineti i sekretarit të përgjithshëm, Gani Shabani, për të cilat tha se kanë qenë të nënshkruara nga ana e sekretarit dhe të cilat më pas është dashur të nënshkruheshin edhe nga ana e tij.

Përmbajtja e shkresave Agani tha se ka qenë e caktuar nga bordi ekzekutiv dhe se më pas kanë shkuar te ministri vetëm për nënshkrim si shkresë dhe pa dosje për rastet e kompensimit mbi 10 mijë euro.

I pyetur nga mbrojtësi i të akuzuarit Gani Shabani, avokati Nikë Shala se kush e cakton vendin dhe shumën për trajtim të pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore, ish- ministri tha se pacientët kanë qenë të detyruar që para bordit të paraqesin dy pro fatura nga dy institucione të ndryshme dhe se më pas bordi ka vendosur lidhur me ato oferta.

“Pacienti në bazë të udhëzimeve administrative në fuqi kanë qenë të obliguar që bordit ekzekutiv me ia dorëzu dy pro fatura nga dy institucione shtetërore që ata i kanë zgjedhë dhe bordi gjithmonë e ka zgjedh ofertën me të lirë, vendimi ka qenë i bordit”, u përgjigj Agani.

Tutje avokati Shala e pyeti të akuzuarin Ferid Aganin nëse kishte ndodhur ndonjëherë që sekretari i përgjithshëm Gani Shabani t’i lejojë mjetet për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore pa aprovim nga bordi ekzekutiv.

Për këtë, i akuzuari Agani deklaroi se me lejen e tij nuk ka ndodhur asnjëherë një gjë e tillë.

Avokati Shala ish-ministrin e pyeti edhe për performancën e të mbrojturit të tij, ish-sekretarit Gani Shabani.

“Gjatë kohës sa Gani Shabani ka qenë qoftë ushtrues detyre i sekretarit, qoftë sekretar çfarë performancë ka arritur ai në detyrat e parapara?”, e pyeti avokati Nikë Shala.

“Ka pasur vlerësim pozitiv. E kam vlerësuar se e ka kryer punën në pajtim me ligjin në fuqi dhe ka pasur performancë pozitive”, u përgjigj Ferid Agani.

Në lidhje me marrëveshjet e bashkëpunimit me spitalet private, ish-ministri, tashmë i akuzuari Ferid Agani, deklaroi se ato çdo herë kanë qenë të ligjshme.

Ai tha se shumën e mjeteve financiare dhe vendin për trajtim jashtë vendit e ka caktuar çdo herë bordi ekzekutiv.

Për procedurat e trajtimit të pacientëve jashtë vendit, Agani tha se kanë qenë të njëjta edhe para mandatit të tij si ministër.

“Procedurat kanë qenë të njëjta edhe para mandatit tim si ministër dhe para emërimit të Gani Shabanit, si dhe sot e kësaj dite janë në fuqi të njëjtat procedura të vendimmarrjes”, shtoi Agani.

Agani marrëveshjet e nënshkruara nga ai dhe ish sekretari Gani Shabani i konsideroi tërësisht të ligjshme dhe konform dispozitave ligjore.

Seanca e radhës do të mbahet më 26 mars, kur mbrojtjen pritet ta japë i akuzuari Gani Shabani.

Në rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve.

Procedura ndaj Aganit dhe Shabanit është veçuar me qëllim që gjykata të optimizojë procedurën.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit se të njëjtit kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë Institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Sipas aktakuzës, Ferid Agani dhe Gani Shabani i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Shkrimet e KALLXO.com për këtë gjykim mund t’i lexoni në këtë LINK.