Rasti ‘Stenta’ - Mbi 6 vite ende pa vendim përfundimtar 

 

Kanë kaluar mbi 2300 ditë që nga ngritja e aktakuzës së rastit “Stenta” dhe ende nuk ka epilog për këtë rast.

Prokuroria Speciale, në aktakuzë kishte përfshirë 64 persona, mirëpo gjyqtarja e rastit, Shadije Gërguri, për arsye të ekonomizimit dhe efikasitetit të gjykimit kishte ndarë rastin në tre pjesë. 

Tash Shahdije Gërguri tërhiqet prej gjykimit të rastit të ‘Stenta 2’ për shkaqe shëndetësore, gjë që e kthen procesin në pikën fillestare sepse, sipas dispozitave ligjore, në rast të ndërrimit të gjyqtares i gjithë procesi duhet të rinisë prej fillimit. Në vend se të përshpejtohet procesi gjyqësor i pazgjidhur pas 6 viteve, kjo nënkupton edhe një element të ri në zhagitjen e mëtutjeshme të gjithë procesit. 

Historia e rastit “Stenta” u nda në disa episode, “Stenta 1” me të akuzuar ish-ministrin e Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretarin e MSH, Gani Shabanin, “Stenta 2” me të akuzuar mbi 40 mjekë të spitaleve publike, ndërsa në “Stenta 3” të akuzuar janë pronarët dhe mjekët e spitaleve private ku pretendohet se janë kryer veprat.

Për këtë rast, institucionet përkatëse, kanë pasur vështirësi deri vonë që të gjejnë edhe vendin se ku do të mbahet ky gjykim, shkaku i numrit të madh të të akuzuarve.

Ky shqyrtim disa herë është mbajtur në sallat e konferencave të Ministrisë së Drejtësisë, e disa herë në gjykatoret e Pallatit të Drejtësisë.

Kallëzimi penal për rastin “Stenta” është ngritur më 26 maj 2014, kurse hetimet kanë filluar me aktvendim të datës 16 qershor 2014. 

Aktakuza për këtë rast është ngritur më 14 qershor 2016. Kurse shqyrtimi fillestar në rastin “Stenta” ishte caktuar më 21 tetor 2016.

Afati ligjor për caktimin e seancës së shqyrtimit fillestar sipas Kodit të Procedurës Penale pas ngritjes së aktakuzës është brenda 30 ditëve, kurse në rastin “Stenta” është shkelur ky afat procedural dhe shqyrtimi fillestar është caktuar pas 5 muajve. 

Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, më datë 14 qershor 2016 kishte ngritur aktakuzë ndaj 64 personave, ndër të akuzuar janë edhe ish-ministri i shëndetësisë Ferid Agani dhe sekretari i përhershëm i MSH, Gani Shabani, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi”.

Aktakuza nuk është ngritur as nga Prokuroria e Prishtinës, as nga Prokuroria Speciale por nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, e kjo ishte një ndër arsyet se pse palët e akuzuara kërkonin hudhjen e aktakuzës.  

Mbrojtësi i Ferid Aganit, avokati Adem Vokshi dhe mbrojtësi i Gani Shabanit, avokati Nikë Shala (Tani i ndjerë), kishin ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas pretendimeve të tyre është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.

Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca për ngritjen e aktakuzës ashtu siç pretendon mbrojtja që ka ndodhur në këtë rast.

Për këtë rast janë ndërruar katër prokurorë, ndërsa prokurori i cili ka përpiluar akuzën në shqyrtime gjyqësore nuk e ka mbrojtur as përfaqësuar atë.

Momentalisht prokurore e rastit është prokurorja Florie Shamolli, kurse kryetare e trupit gjykues u caktua gjyqtarja Shadije Gërguri.

Në shqyrtim fillestar të këtij rasti, me 26 shkurt 2018, gjyqtarja Shadije Gërguri, ka marrë vendim që procedura për të akuzuarit Agani dhe Shabani të veçohet nga të akuzuarit e tjerë.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani kanë kërkuar hudhjen poshtë të aktakuzës, mirëpo këtë kërkesë e ka refuzuar gjyqtarja Shadije Gërguri, për vendimin e të cilës palët iu kanë drejtuar Apelit me ankesë.

Gjykata e Apelit në tetor të 2017-ës e kishte konfirmuar aktakuzën dhe rastin e ktheu në rivendosje.

Gjykata Themelore me aktakuzë të konfirmuar të ngritur nga prokuroria, ka marrë vendim qysh në shqyrtim fillestar që rastin për shkak të efikasitetit ta ndaj në tre pjesë. 

Në këtë shqyrtim fillestar të mbajtur në shkurt 2018, asnjë nga të akuzuarit e rastit “Stenta” nuk e pranuan fajësinë.

Prokuroria ish-ministrin Agani së bashku me ish-sekretarin e Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani, po i akuzon se kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare me rastin e lidhjes së marrëveshjeve të bashkëpunimit me spitalet private, si dhe me ndarjen e mjeteve për pacientët që ishin trajtuar në këto spitale.

Kjo aktakuzë ishte ndryshuar nga prokuroria në fjalën përfundimtare të mbajtur më 18 prill 2019. Tani më prokuroria pretendonte se ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore prej 22 prillit 2012 deri më 31 dhjetor 2015, të akuzuarit Agani dhe Shabani, duke vepruar në bashkëkryerje me njëri tjetrin dhe në bashkëpunim me të akuzuarit ë tjerë në këtë rast, Ali Hocaoglu dhe Borche Petrovski dhe duke shkelur ligjin e prokurimit publik kanë keqpërdorur pozitën e tyre.

Më këto veprime sipas prokurorisë, ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Kosovës në shumën prej 4,555,553.00 euro.

Pas përfundimit të procesit gjyqësor, administrimit të provave dhe dëgjimit të tërë dëshmitarëve, gjyqtarja e rastit “Stenta 1” në prill të 2019 nxjerrë aktgjykim dënues, Ferid Aganin dhe Gani Shabanin i gjeti fajtor dhe i dënoi me nga 2 vite e gjysmë dhe 2 vite burgim për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Me këtë vendim, shkalla e parë, ish-ministrin Agani e dënoi me 2 vite e gjysmë burg dhe ish-sekretarin Shabani e dënoi me 2 vite burgim.

Për këtë vendim kanë paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit, avokati Adem Vokshi që mbron Ferid Aganin, i cili ka quajtur vendim skandaloz, vendimin që dënon Ferid Aganin dhe Gani Shabanin me burg. 

Mirëpo me vendimin e Themelores nuk ishte pajtuar Gjykata e Apelit pasi për shkelje procedurale e kishte thyer rastin në rivendosje.

Gjykata e Apelit, me kryetar kolegji, gjyqtarin Burim Ademi, pas trajtimit të ankesave të palëve, ku prokuroria kërkonte dënim më të lartë, e avokatët kërkonin lirim, pas trajtimit të shkresave të lëndës, Apeli ka rënë në konkludim se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë në shkelje procedurale, ndërsa gjendja faktike nuk është vërtetuar në mënyrë të plotë madje ishte e gabuar.

Në dhjetor të vitit 2019 gjykimi ka filluar  nga pika zero dhe është ndërruar trupi gjykues dhe gjyqtar i rastit “Stenta 1” është caktuar gjyqtari Kujtim Krasniqi.

Rasti u gjykua edhe njëherë nga fillimi para këtij trupi gjykues dhe i njëjti më datë 1 gusht 2022 ka vendosur që të akuzuarit e “Stenta 1”, ish-ministrin Ferid Agani dhe ish-sekretarin e MSH, Gani Shabani t`i lirojë nga akuzat.

Kundër këtij vendimi, Prokuroria Speciale deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka paraqitur ankesë.

Derisa për rastin “Stenta 1” gjykata e shkallës së parë dhe shkallës së dytë kanë marrë vendime 2 herë dhe gjykimit i kanë dhënë epilog, dy rastet e tjera “Stenta 2” dhe “Stenta 3”, ende kanë mbetur në shkallë të parë.

Për “Stenta 2” kanë tentuar të mbahen disa seanca por gjithmonë kanë dështuar të mbahen në mungesë të avokatëve, të dëshmitarëve apo edhe vetë palëve, por çështja ende është në fazën e dëgjimit të dëshmitarëve, në këtë pjesë të ndarë, janë të akuzuar mbi 40 mjekë.

“Stenta 2” ka qenë duke u trajtuar tek gjyqtarja Shadije Gërguri, mirëpo për shkaqe shëndetësore të së njëjtës, tani i është caktuar gjyqtares Suzana Çerkini, sipas dispozitave ligjore në rast të ndërrimit të gjyqtarit/es i gjithë procesi duhet të fillojë prej fillimi. Përderisa disa të akuzuar kishin vepruar pa avokatë deri në këtë moment, gjyqtarja Çerkini ka kërkuar që secila palë të obligohet të ketë avokat, gjë që ngrit dyshimet për standarde të ndryshme që aplikohen prej gjyqtarëve të ndryshëm. 

Kurse për “Stenta 3“  ku të akuzuar janë pronarët e spitaleve ku pretendohen të jenë kryer veprat penale është mbajtur vetëm një seancë gjyqësore.

Për këtë çështje penale, hetimet janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë e 4 personave juridikë. Mirëpo përveç personave për të cilët është ngritur aktakuza për 56 të tjerë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë rast.

Kështu për ata persona prokuroria ka pushuar hetimet kurse për kardiologun Afrim Bekteshin prokuroria ka hequr dorë nga ndjekja penale me arsyen se e ka përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ndërkohë, për shkak se ka ndërruar jetë, ka pushuar procedura penale ndaj njërit nga të akuzuarit në këtë rast, Bedri Zaiti.

Sipas dosjes së prokurorisë speciale, ekziston dyshimi i bazuar mirë se në periudhën kohore 2011 -2015 të akuzuarit kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore.

Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.

Pas gjashtë vitesh lirohen nga akuza për rastin ‘Stenta’ ish-ministri dhe ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë