Shtyhet seanca gjyqësore në rastin e njohur si ‘Stenta 1’

 

Seanca gjyqësore e planifikuar të mbahej sot ndaj ish-ministrit të Shëndetësisë Ferid Agani dhe ish-sekretarit të Ministrisë së Shëndetësisë, Gani Shabani është shtyer me propozim të prokurores speciale Florie Shamolli.

Prokurorja speciale Florie Shamolli ka kërkuar nga trupi gjykues që kjo seancë të shtyhet sepse ka shumë prova materiale dhe se për këtë i duhet kohë që secila provë të lexohet dhe të elaborohet nga ana e saj.

Kundër këtij propozimi ishin dy të akuzuarit Ferid Agani dhe Gani Shabani si dhe mbrojtësi i Gani Shabanit, avokati Skënder Musa.

“Unë jam kundër shtyrjes së kësaj seance, që 5 vite në proces gjyqësor dhe ende nuk jeni në gjendje me i paraqit provat”, deklaroi i akuzuari Agani.

Gjatë shqyrtimit gjyqësor mbrojtësi i të akuzuarit Ferid Agani, avokati Adem Vokshi ka propozuar që në këtë seancë në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet përfaqësuesja ligjore e palës së dëmtuar Nexhmije Karaqi.

“Meqenëse është përfaqësuese e të dëmtuarit, a ka mundësi me na spjegu se a ka marrë prej të dëmtuarit deklaratë mbi lartësinë e dëmit sepse edhe në vendimin e Gjykatës të Apelit qe e ka prish vendimin e mëparshëm të kësaj Gjykate është theksuar se në shkresat e lëndës mungon deklarata mbi lartësinë e dëmit”, tha avokati Vokshi.

Gjykata ka marrë aktvendim refuzues ndaj propozimit të avokatit Adem Vokshi që ne cilësinë e dëshmitares të dëgjohet përfaqësuesja e palës se dëmtuar në rrethanën e cekur më lartë nën arsyetimin se e njëjta në këtë rrethanë mund të deklarohet edhe në cilësinë e palës së dëmtuar, po ashtu sipas dispozitave të KPPK se njëjta mund të paraqes kërkesë pasurore juridike deri në fund të shqyrtimit gjyqësor.

Përfaqësuesja ligjore e palës së dëmtuar në ketë rast e Qeverisë së Kosovës Nexhmije Karaqi në seancën e sotme ka deklaruar se Qeveria e Kosovës e konsideron vetën të dëmtuar dhe se në periudhën prej 7 ditësh do të parashtrojë kërkesë pasurore me shkrim.

“Duke pasur parasysh që procedura penale dhe ajo hetimore është zhvilluar nga prokuroria special, në të gjithë grumbullin e shkresave dhe hetimeve që ka bërë prokuroria, si palë e dëmtuar është Qeveria e Republikës së Kosovës, respektivisht Ministria e Shëndetësisë bazuar në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale vlerëson se e njëjta është e dëmtuar për shumë të dhënë si në aktakuzë”.

Avokati i të akuzuarit Ferid Agani, Adem Vokshi i propozoi që të ftohet përfaqësuesi i palës së dëmtuar, sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në cilësinë e dëshmitarit, ne rrethana se a ekziston dëmi dhe sa është lartësia e dëmit.

“Duke u mbështetur në dispozitës nenin 124 par.2 të KPPK-së, e meqenëse nga ana e përfaqësueses së palës së dëmtuar nuk mora përgjigje nga pyetjet që kisha përgatit pasi u refuzua propozimi im. Tani propozoj të ftohet përfaqësuesi i palës së dëmtuar, sekretari I përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë në cilësinë e dëshmitarit, në rrethana se a ekziston dëmi dhe sa është lartësia e dëmit”, tha Vokshi.

Pro propozimit të avokatit Adem Vokshi, ishin prokurorja speciale, përfaqësuesja e palës së dëmtuar, dy të akuzuarit dhe mbrojtësi i Gani Shabanit, avokati Skënder Musa.

Gjykata mori aktvendim refuzues edhe për këtë propozim.

“Refuzohet propozimi që në këtë fazë të procedurës të dëgjohet përfaqësuesi i Ministrisë së Shëndetësisë në lidhje me dëm. Sepse Gjykata sipas aktvendimit të Gjykatës së Apelit, ku njëra nga sugjerimet e këtij aktvendimi është që të sigurohet një ekspert për të vlerësuar nëse është shkaktuar dëmi dhe sa është dëmi i shkaktuar”, deklaroi kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Kujtim Krasniqi.

Gjykata pas sigurimit të kësaj ekspertize do të vlerësoj sipas detyrës zyrtare nëse është e nevojshme që të ftohet sekretari nga Ministria e Shëndetësisë për t`u dëgjuar në rrethanat e sipër cekura.

Seanca është shtyer për datën 10 shtator me fillim në ora 13:15.

Ferid Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë,  duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.

Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumë prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës