Agani kërkon nga Gjykata të mos e vonojnë procesin, për shkak të zgjedhjeve lokale
Ish ministri i Shëndetësisë Ferid Agani, në seancën e sotme gjyqësore ka kërkuar nga trupi gjykues që të mos prolongohet çështja gjyqësore ndaj tij, me arsyetimin se e gjitha kjo, mund ta pengoj atë të marrë pjesë ne zgjedhjet lokale të këtij viti, që pritet të mbahen më 17 tetor.
Agani dhe Gani Shabani, ky i fundit ish sekretar i Ministrisë së Shëndetësisë, janë përballur sot në procesin gjyqësor të njohur si “Stenta 1”. Në seancën e mbajtur në Gjykatën e Prishtinës, ku të pandehurit po akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka dëshmuar doktori dhe ish-drejtori i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Curr Gjocaj.
Pas deklarimit të dëshmitarit Gjocaj, ish-ministri Agani ka kërkuar nga Gjykata që seanca të caktohet për një datë sa më të hershme, në mënyrë që të mos prolongohet çështja.
Ai ka tha se të qenit i akuzuar po i pamundëson pjesëmarrjen në procesin e zgjedhjeve lokale që do të mbahen në muajin tetor.
Gjykata vendosi që seanca e radhës për këtë çështje penale të mbahet me 25 gusht 2021, pasi muajt korrik dhe gusht janë të stërmbushura me seanca të tjera.
Kujtojmë se në seancën e kaluar kryetari i trupit gjykues Kujtim Krasniqi, duke u bazuar në ligj, pati ndaluar publikimin e deklaratave të dëshmitarëve, deri në përfundim të kësaj çështjeje penale.
Ferid Agani dhe Gani Shabani akuzohen se kanë vepruar në kundërshtim më Ligjin për Prokurimin Publik dhe Udhëzimet Administrative të Ministrisë së Shëndetësisë, duke lejuar pagesat për trajtimin e pacientëve jashtë institucioneve publike shëndetësore për periudhën 2011 -2015.
Prokuroria pretendon se ata i kanë mundësuar përfitim financiar spitalit privat “IMH” në shumën prej 4,050,958.00 euro dhe spitalit privat “EDA” në shumën prej 504,595.00 euro, apo të dyja spitaleve në shumë të përgjithshme prej 4,555,553.00 euro, duke e dëmtuar buxhetin e Kosovës.
Dalin para gjykatës Ferid Agani e Gani Shabani, për rastin e njohur si “Stenta1”