Ish-konsullata austriake në Prishtinë - Foto: Facebook

Ish-Konsullata Austriake Pritet të Rinovohet dhe Shndërrohet në Hotel

Objekti në qendër të Prishtinës, që dikur ka qenë konsullatë e Austrisë dhe e Serbisë, i rrënuar pjesërisht nga kushtet atmosferike, pritet të shndërrohet në hotel.

Kështu bëri të ditur për KALLXO.com Yll Rugova, drejtor i Drejtorisë së Kulturës në Komunën e Prishtinës.

Objekti ka pronarë privatë, të cilët, sipas Rugovës, do ta kthejnë ndërtesën në hotel.

Ish-konsullata vlerësohet të jetë e rrezikuar nga rrënimi i plotë.

Faqja e internetit e Komunës “Prishtina Online” dhe Departamenti i Ministrisë për Trashëgimi Kulturore thonë se do të ketë aksion të kontrolluar të rrënimit të disa pjesëve të objektit në mënyrë që të evitohet në tërësi rreziku i rrënimit të plotë.

“Meqë është objekt privat dhe nën mbikëqyrje të Institutit për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore, presim nga ky institut që të na dërgojë pëlqimin për një gjë të tillë, ashtu që të veprojmë sa më parë”, shkruan më tutje “Prishtina Online”.

Ndërsa, drejtori Rugova tha se ka pasur diskutim në mes të Komunës së Prishtinës, Qendrës Rajonale të Trashëgimisë dhe Institutit për Mbrojtjen e Monumenteve ku janë shpjeguar kushtet për renovimin e objekteve të trashëgimisë.

Ai shtoi se arkitektura e objektit do të jetë e njëjtë me atë të konsullatës së dikurshme dhe tregoi se pronarët do ta paraqesin një projekt në Drejtorinë e Urbanizmit të Komunës si dhe në Qendrën Rajonale (të Trashëgimisë) dhe në qoftë se marrin leje ata do të mund ta rindërtojnë atë.

Ndërkaq, i shqetësuar rreth rrënimit është shprehur opinionisti Shkëlzen Gashi në tryezën ‘Hapësirat e braktisura të Kosovës’ të mbajtur më 20 mars 2018.

“Për konsullatën serbe jam frikësuar se do ta rrëzojnë krejtësisht. Shumë njerëz nuk i thonin konsullatë serbe i thonin vetëm austriake ose ruse. Mirëpo kur i lexojmë kujtimet, memoaret, letrat e konsujve serbë nga Prishtina e kuptojmë që ajo ka qenë edhe konsullatë e Serbisë”, tha Gashi.

Sipas tij, institucionet shtetërore duhet ta kthejnë atë në pronësi të veten duke e blerë dhe ta lënë atë në dispozicion për Serbinë në rast se ajo e njeh Kosovën.

“Mendoj se shteti i Kosovës duhet të përkujdeset për të, duhet ta marrë, ndoshta ta blejë, ta rinovojë e ta bëjë fiks qysh ka qenë. Ndoshta edhe ta bëjë një shaka me Serbinë — t’i thonë se këtu ke pasur konsullatë para vitit 1912, ne e kemi rregulluar dhe e kemi bërë gati për ambasadë. Kurdo që ta njohësh Kosovën ja ku e ke edhe objektin (për ta hapur ambasadën)”, tha Gashi.

Ndërkaq, “demolimin e pjesërishëm” e ka konfirmuar për KALLXO.com edhe Vjollca Aliu, drejtoreshë e Departamentit për Trashëgimi Kulturore në Ministrinë e Kulturës.

Ajo tregoi se objekti është një nga 145 ndërtesat nën mbrojtje në rajonin e Prishtinës, 87 prej të cilave janë në qytet.

Aliu shtoi se pritet të hartohet edhe projekti për objektin.

“Pas kësaj faze do të hartohet projektit i konservimit dhe restaurimit, i cili do të

dërgohet për aprovim në Komisionin e Institutit Kombëtar për Mbrojtjen e Monumenteve”, theksoi drejtoresha Vjollca Aliu.

Ndërsa, duke folur rreth asaj se kush janë përgjegjës për ruajtjen e objekteve, Aliu tha se përgjegjësi kanë disa institucione por edhe pronarët e objekteve të trashëgimisë.

“Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, por edhe institucionet tjera rajonale si QRTK-të dhe ato lokale komunat, por edhe vetë pronarët qofshin ata persona fizikë apo juridikë e kanë për detyrim ligjor mbrojtjen, ruajtjen dhe promovimin e aseteve të trashëgimisë kulturore”, tha ajo.