Gjykimi i ish-zyrtarëve të Bankës Ekonomike - Foto: KALLXO.com

Ish-drejtori i Bankës Ekonomike rrëfen bartjen e aksioneve te Afrim dhe Selim Pacolli

Në gjykimin ndaj ish-zyrtarëve të Bankës Ekonomike, Valon Llukës dhe Raif Rexhepit, të cilët sipas pretendimeve të Prokurorisë kanë kryer veprën penale – shpërdorim i detyrës zyrtare, në seancën e sotme i akuzuari Lluka deklaroi se ka lejuar bartjen e aksioneve te Afrim dhe Selim Pacolli pasi sipas tij dokumentacioni që i është prezantuar për shitblerje të aksioneve ka qenë i kompletuar.

Gjithashtu theksoi se të njëjtin dokumentacion e ka përcjellë në Bankën Qendrore të Kosovës (BQK), për aprovim.

Prokuroria e akuzon Valon Llukën se në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Bankës Ekonomike në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit pasuror, ka shpërdorur pozitën zyrtare.

Ai ka thënë se nuk ka pasur autorizim ligjor për ta ndaluar regjistrimin apo bartjen e aksioneve në favor të këtyre aksioneve, përderisa i janë prezantuar dokumentet që janë kërkuar.

Valon Lluka duke u përgjigjur në pyetjet  e avokatit Isa Salihu, deklaroi se në vitin 2011 ka punuar si drejtor ekzekutiv në Bankën Ekonomike.

Akuza e Prokurorisë e ngarkon se ne atë periudhë kohore ka pasur cilësinë e personit zyrtar, mirëpo ai tha se unë kam qenë person privat.

“Ne bazë të njohurive të mia, unë kam punuar në institucionin privat, dhe kam qenë person privat”, u përgjigj Lluka.

“Akuza ju ngarkon se ne cilësi të personit zyrtar keni bërë shpërdorimin e pozitës zyrtare, ngase nuk keni deklaruar aksionet e Savinos. Kush e bën regjistrimin e aksioneve?”, pyeti avokati i tij.

“Pozita e drejtorit ekzekutiv nuk e ka atë kompetencë të regjistrojë aksionet, por ajo është e rregulluar me Ligjin për bankat si dhe rregulloret në fuqi të Bankës Qendrore. Detyra ime apo e drejtorit ekzekutiv ka qenë që të sigurohet se në procesin e shitblerjes së aksioneve, janë zbatuar kërkesat e rregullores në fuqi të Bankës Qendrore të Kosovës dhe të njëjtat në rast të zbatimit të përcillen në Bankën Qendrore për aprovim”, theksoi i akuzuari Valon Lluka.

Ndërsa për Savino Tesoron tha se nuk ka pasur  me të asnjë raport privat, as nuk ka pasur për qëllime ta dëmtojë dhe se Banka Ekonomike nga veprimet e kundërligjshme nuk ka përfituar asgjë.

Prokurori Fetih Tunuzliu  e ballafaqoi të akuzuarin Valon Lluka me një vërtetim të datës 5 tetor 2010. Ky vërtetim, sipas tij, në fund të tekstit thotë  “drejtori i përgjithshëm” dhe përfund  Valon Lluka, ndërsa para termit drejtor me kimik është e shënuar “Për” dhe ia ofroi shkresën në shikim.

“Ky është një vërtetim i cili është  lëshuar për të vërtetuar gjendjen e aksioneve të Raif Rexhepit. Vërtetim i cili gjatë marrjes në pyetje nga ana e policisë, është vërtetuar se ka pasur një gabim teknik nga administrata në datë,  dhe kjo gjë  i është vërtetuar  atyre dhe u është dhënë nga një kopje e protokollit të Bankës, ku ky dokument është protokolluar”, tha i akuzuari.

Në pyetjet e Kryetarit te trupit gjykues Shashivar Hoti i akuzuari deklaroi se  zëvendësdrejtori i bankës në atë kohë, Fisnik Këpuska, e ka nënshkruar dhe se nuk është lëshuar as nënshkruar nga ai.

Duke u përgjigjur në pyetjet e përfaqësueses së palës së dëmtuar avokates Shpresa Berisha, i akuzuari deklaroi se vërtetimin e ka përpiluar drejtoresha e financave Suzana Kaçaniku dhe se regjistrimi i aksioneve nuk është kompetencë e drejtorit ekzekutiv.

Ai shtoi gjithashtu se një vërtetim lidhur me gjendjen e aksioneve mund ta lëshojë edhe një zyrtar i bankës dhe  se ky vërtetim ka prodhuar efekt juridik në ditën që është lëshuar deri në momentin që ekzistojnë ato aksione.

Me tutje tha se  Savino Tesoron e ka takuar njëherë që me sa i kujtohet ka qenë në janar të vitit 2011, në një restorant afër aeroportit në Sllatinë, ku prezent sipas tij, kanë qenë dy persona, njëri nuk i kujtohet e tjetri Aziz Tafaj.

“Jam takuar me kërkesë të tij dhe takimi ka pasur të bëjë me një kontratë që e kishte pasur ai për shitblerje të aksioneve, e cila ka qenë më duket e vitit 2008”, ka thënë i akuzuari Lluka.

Pastaj ka treguar se  para se të takohej me të dëmtuarin Savino Tesoro, e kishte kuptuar se ekziston kontrata për shitblerjen e aksioneve lidhur mes tij dhe të autorizuar të Raif Rexhepit.

“Në takim e kam pyetur ku ka qenë qe dy vite që nuk është bërë asnjë kërkesë. I kam kërkuar dokumentet nëse kanë ndonjë pagesë në lidhje me aksionet, në ato momente e kam vërejtur se është ndje shumë keq. Gjuhën italiane nuk e di, folke diçka me Azizin, por e vërejta se ata në mes veti kishin një bisedë të pakëndshme”, u përgjigj i akuzuari Valon Lluka.

Sipas tij, i dëmtuari Savino nuk ka vepruar në bazë të udhëzimeve që ia kishte dhënë kur ia kishte sqaruar procedurat dhe se asnjëherë nuk ka prezantuar kërkesë.

Kurse, ka thënë se në bazë të pagesave që janë prezantuar nuk kanë mundur të fillohen procedurat për bartjen e regjistrimit të aksioneve nga Raif Rexhepi te Tesorro.

E kjo, sipas tij, për shkak se ka pasur mungesë të dokumenteve që kërkohen në bazë të rregullores për regjistrim të aksioneve, si kontrata origjinale, dëshmitë e pagesave dhe një kërkesë zyrtare për regjistrim të aksioneve.

Seanca e radhës pritet të mbahet më 7 shkurt.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Lluka, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të Bankës Ekonomike në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete dhe shkaktimit të dëmit pasuror, Savino Tesoros, ka shpërdorur pozitën zyrtare.

Gjithmonë sipas prokurorisë ai në vitin 2011 kishte marrë pjesë në takimin negociues mes të akuzuarit Rexhepi dhe shtetasit italian Tesoro, edhe pse kishte qenë në dijeni për ekzistimin e një kontrate të lidhur mes tyre në janar 2008, dhe se ai nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim në drejtim të regjistrimit të aksioneve të blera nga TEXO – S.R.L, e përfaqësuar nga Savino Tesoro.

Po ashtu, sipas aktakuzës, më 24 nëntor 2011, i akuzuari Lluka, kishte lejuar realizimin e shitjes së 6.41% të aksioneve të Bankës Ekonomike, e cila ishte bërë përmes kontratës së dyfishtë mes të akuzuarit,  Raif Rexhepit  dhe blerësit, Afrim Pacolli.

Gjithashtu, prokuroria e  akuzon Valon Llukën se gjatë vitit 2010, nuk ka nxjerr vendim për anulim të vërtetimit të rremë, me ç’ rast ka dëmtuar materialisht shtetasin italian, Savino Tesoron.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Raif Rexhepi nga viti 2007 deri në 2011, me qëllim që vetes t’i sjellë dobi të kundërligjshme pasurore, dhe duke i shkaktuar dëm pasuror Tesoros, pas marrëveshjes me Tesoron përmes personit Aziz Tafaj  ia kishte bartur përmes transferit bankar shumën prej 2.400.000 euro Rexhepit, i cili edhe pse e kishte pasur për obligim që kur të marrë këtë shumë të parave t’i blejë aksionet dhe t’i bartë në emër të Tesoros.

Mirëpo, në aktakuzë thuhet se Rexhepi nuk iu kishte përmbajtur marrëveshjes dhe e kishte mashtruar me prezantim të rrejshëm të dëmtuarin Tesoro, se kinse do t’ia bartë aksionet në emër të tij, dhe kur i kishte blerë aksionet në të njëjtën bankë duke arritur vlerën e aksioneve në 20%, të njëjta nuk i kishte bartur fare në emër të Tesoros.

Ndërkohë, gjatë vitit 2010-2011, këto aksione i kishte shitur te disa aksionarë tjerë, ndërsa paratë e tyre i kishte mbajtur për vete.